Kthimi i xhudistëve në “realitet”, në rrethana të reja

Prishtinë | 18 Kor 2020 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Të premten ka nisur kampi i xhudistëve në Poreç të Kroacisë. Pos 80 garuesve të Kroacisë po marrin pjesë edhe 12 xhudistë të Kosovës, ndërsa pritet edhe pjesëmarrja e xhudistëve të Sllovenisë.

Për xhudistët kosovarë, kampi në Poreç shënon kthim në realitet, por në rrethana të reja. Kampet ndërkombëtare janë praktikë thuajse e rregullt e xhudistëve, që janë bindshëm sportistët më të suksesshëm në vend. Kampet vlerësohen të domosdoshme, sidomos për sparing me xhudistë tjerë.

Për shkak të pandemisë, xhudistët kosovarë nuk kanë marrë pjesë në kampe që nga marsi. Të tilla nuk janë mbajtur më. Xhudistët e trajnerit Driton Kuka kanë vazhduar stërvitjet në Pejë, për shumë kohë të izoluar, por iu ka munguar sparingu me xhudistë të tjerë.

Një javë xhudistët qëndruan për një pushim aktiv në Shqipëri. Në Durrës ishin edhe në një kamp jo shumë të ngarkuar me xhudistët nga Shqipëria.

Në Poreç pos 12 xhudistëve elitarë janë edhe trajnerët Driton Kuka e Fatos Tabaku. Të gjithë janë testuar për koronavirus para largimit nga Kosova. Kanë pranuar rezultat negativ.

“Jemi 12 garues dhe dy trajnerë. Është dashur të vijnë edhe disa garues të tjerë. Por disa janë të lënduar e disa nuk kanë viza. Xhudistët elitarë janë këtu”, ka treguar trajneri Kuka të shtunën për KOHËN.

“Për ekipin tonë ky kamp është shumë i mirëseardhur. Jemi mërzitur paksa duke bërë sparing me të njëjtit njerëz. Për mua personalisht është sikur të fillojë prapë të jetojë, në aspektin sportiv. Na ka marrë malli për përballje me xhudistë tjerë. Në Kosovë, ndonëse kemi punuar shumë mirë, filloi të kishte mungesë adrenaline “, ka shtuar Kuka.

Garat e xhudos, njëjtë si në sportet tjera, janë pezulluar. Shpresat janë për vazhdim të garave në vjeshtë. Me paraqitjen e xhudistëve nëpër gara priten edhe medaljet për Kosovën nga ngjarjet më të mëdha.

Image
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme