Në fund të vitit 2018, Prokuroria dhe Gjykata Speciale për Kosovën kanë vendosur të aktivizohen.
Hetimi 7-vjeçar për krimet e pretenduara që dalin nga raporti i Dick Martyt dhe Këshillit të Evropës, pritet që fillimisht të finalizohet me së paku një aktakuzë të Prokurorisë së Specializuar, brenda muajit janar, ka mësuar KTV-ja.
Burime të afërta me procesin kanë treguar se Prokurori i Specializuar, Jack Smith, e ka të gatshme aktakuzën e parë dhe ajo është ndaj një ish-komandanti zone të UÇK-së, emër i njohur për redaksinë.
“Hetuesit kanë qenë në Kosovë dhe kanë negociuar dorëzimin e mundshëm të të dyshuarit dhe ka gjasa që një marrëveshje të arrihet shumë shpejt për dorëzimin e tij vullnetar”, ka thënë ky burim për KTV-në.
Siç bën zakonisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka qenë e gatshme të flasë për rastin.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton dhe nuk do të komentojë spekulime rreth kohës së mundshme të akuzave, ose të japë informacione specifike për statusin e hetimeve. ZPS-ja është e angazhuar në hetimin e të gjitha pretendimeve të raportit të Asamblesë së Këshillit të Evropës, i hartuar nga Senatori zviceran, Dick Marty, dhe ka për qëllim të sigurojë që të gjitha pretendimet të adresohen dhe hetohen plotësisht”, ka thënë Christopher Bennett, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
KTV-ja ka pyetur për një koment edhe Gjykatën Speciale, që është institucion i ndarë dhe ku Zyra e Prokurorit pritet ta dorëzojë aktakuzën, por ata nuk kanë qenë të gatshëm për një përgjigje të menjëhershme.
Gjykata Speciale për Kosovën u krijua në vitin 2015, me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Misioni i saj është që t’i hetojë pretendimet e raportit të Dick Martyt, për krime të cilat thuhet se janë kryer mes viteve 1998-2000.