Përfaqësuesja kampione e botës në futboll po i nënshtrohet një riformatimi, pas suksesit verën e kaluar në Rusi, e këtë po e bën përmes testimit të elementëve të rinj edhe në përballje zyrtare.
Trajneri i Francës, Didier Deschamps i ka besuar për herë të parë 3 lojtarëve, në grumbullim për ndeshjet e muajit tjetër, një miqësore me Bolivinë dhe dy impenjime në kualifikueset e “Euro 2020”.
Mbrojtësi i Barcelonës, Clément Lenglet ka bindur stafin teknik për të qenë në përfaqësuese, pasi ka luajtur 43 ndeshje në të gjitha kompeticionet me fanellën “blaugrana”. Për herë të parë do të jenë gjithashtu edhe mbrojtësi i Lionit, Léo Dubois, dhe portieri i Lilës, Mike Maignan. Të dy janë vlerësuar me debutimin për shkak të sezonit pozitiv në kampionatin francez.
Trajneri Deschamps ka preferuar të bëjë zgjedhje të ndryshme për dy lojtarë në formë dhe mjaft të kushtueshëm, si sulmuesi i Arsenalit, Lacazette, e mbrojtësi i Manchester Cityt, Laporte.
Kampionët e botës fillimisht luajnë miqësore me Bolivinë dhe më pas do të ndeshen me Turqinë dhe Andorrën në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2020”.