Zëvendëskryeministri i parë Kosovës, Hajredin Kuçi, priti në takim një delegacion nga Britania e Madhe, përkatësisht nga sektori i Policisë dhe Punëve të Brendshme.
Kuçi, falënderoi për kontributin e Policisë Britanike dhe Qeverisë Britanike në përgjithësi, për ndihmën dhe asistencën shumëvjeçare në ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës dhe forcimit të sundimit të ligjit.
Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Kuçi theksoi rëndësinë e rritjes së kapaciteteve të mëtutjeshme dhe profesionalizmit të Policisë, veçanërisht në fushat specifike si hetimi dhe luftimi i krimeve kibernetike, financiare, transnacionale dhe dukurive tjera të ngjashme që kërkojnë ekspertizë teknike shtesë.
Delegacioni nga Britania e Madhe, i kryesuar nga Andy Marsh, premtoi mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm qoftë përmes forumeve dhe iniciativave multilateral dhe përmes bashkëpunimit bilateral.
Temë e veçantë diskutimi gjatë takimit ishte edhe bashkëpunimi ndërkombëtar, bilateral dhe multilateral, si domosdoshmëri për luftimin e krimeve transnacionale në mënyrë të suksesshme.
Kuçi theksoi se mos pjesëmarrja në forumet dhe organizatat ndërkombëtare është problematike dhe shkakton pengesa në luftimin efektiv të kriminalitetit.
“Andaj anëtarësia në organizata ndërkombëtare, si INTERPOLI është kyç në luftimin efektiv të kriminalitetit”, theksoi ai.