“E veçanta e Konferencës për ditën Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese qëndron në faktin se përveç që mbledh krerët e institucioneve gjyqësore të vendit për të përshëndetur dhe vlerësuar punën e Gjykatës Kushtetuese, shërben si forum për diskutimin e një çështje të veçantë që ndërlidhet me punën e gjykatës Kushtetuese dhe garantimit të zbatimit të Kushtetutës”, theksoi zëvendëskryeministri Kuçi.
“Në vendet në tranzicion, e veçanërisht në sistemet Civile si në rastin e Kosovës, kërkohet kohë deri sa të krijohet sistemi funksional juridik vetë-funksional. Krijimi i kulturës Juridike kërkon besim në institucionet e drejtësisë. Ky besim nuk arrihet lehtë. Sidomos në shoqëritë e dala nga luftërat apo regjimet komuniste, institucionet shtetërore dhe gjyqësore shihen me sy negativ. Për qytetarët të pasurit e mekanizmave shtesë që garantojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre është masë më e lartë e sigurisë së funksionimit të një shteti demokratik”, tha Kuçi.
Në këtë konferencë ndër tjerë, morën pjese, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, si dhe kryetarë të Gjykatave Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, asaj të Maqedonisë, gjyqtarë nga Bullgaria, Portugalia dhe Turqia, dhe gjyqtarë nga vendi.