Zëvendëskryeministri i parë Kosovës, Hajredin Kuçi, priti në takim ministren për Inovacion dhe Administratë Publike të Republikës së Shqipërisë, Mirela Harito.
Zëvendëskryeministri Kuçi tha se Qeveria e ka përcaktuar reformën e administratës publike si prioritet që është vital për t’i shtyrë përpara edhe reformat ekonomike.
“Me hartimin dhe zbatimin e procedurave administrative transparente, të qarta dhe të thjeshta, si dhe ofrimi i shërbimeve në mënyrë efektive për qytetarët, e bën administratën publike të transformohet në një mekanizëm që është më afër qytetarit dhe pro zhvillimit të bizneseve”, ka thënë Kuçi.
Gjatë takimit, Kuçi dhe ministrja Harito vlerësuan nënshkrimin e planit të veprimit për zbatimin e marrëveshjes të arritur më parë për ngritjen e kapaciteteve në realizmin e reformave në fushën e mirëqeverisjes dhe administrimit publik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Ky plan i detajuar do të shërbejë si udhërrëfyes për shkëmbimin e përvojave më të mira mes dy vendeve.