Njëzet e katër orë, këta policë dhe kolegë të tyre qëndrojnë para këtij blloku banesor në lagjen “Mati 1” të Prishtinë.
Ata kanë për detyrë të mos lejojnë të dalin jashtë asnjë nga banorët e kësaj ndërtese, brenda së cilës ka persona të infektuar me virusin COVD-19.
Institucioni të cilin ata përfaqësojnë është i kënaqur me punën e tyre.
“Urdhri operativ i Policisë së Kosovës ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetente për luftimin, preventimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë, përfshirë edhe kur kërkohet nga kompetentët, angazhimi, sigurimi dhe kujdesi në lokacione apo familje të prekura nga Covid-19. Sa u përket detyrave dhe përgjegjësive që bien në domen të Policisë, po arrihen të menaxhohen sipas planifikimeve operacionale”, thotë PK.
Kjo ndërtesë është një nga tri lokacionet që vazhdimisht janë nën mbikëqyrjen e policisë.
Me banorët e izoluar për shkak të koronavirusit, komuna thotë se është në kontakt dhe plotëson çdo nevojë të tyre.
Gjatë tërë javës, në kryeqytet janë konfirmuar vetëm gjashtë raste pozitive me virus, pesë nga të cilët janë anëtarë nga një familje në lagjen “Arbëria”.
Një tjetër lajm i mirë këtë javë ka qenë kthimi në punë i 13 punëtorëve të stafit të Qendrës Urgjente, të cilët rezultuan negativë në teste pas kontaktit me të vdekurin nga COVID-19.
trendi në rënie i infektimeve ka shtyrë kryetarin Shpend Ahmeti të paralajmërojë daljen nga karantina deri në fund të javës.
Prishtina ka 65 persona të prekur me këtë virus, 15 prej të cilëve janë shëruar, ndërsa dy kanë vdekur.