Kuka kërkon themelimin e Këshillit Kombëtar të Sportit

Prishtinë | 04 Maj 2021 | 11:03 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, të martën ka bërë thirrje për themelim të Këshillit Kombëtar të Sportit në Kosovë, për të cilin ka thënë se ai duhet të ndërtohet me kritere, dhe jo me vota.

“Këshilli Kombëtar i Sportit domosdoshmëri! Me njerëz me kredibilitet të lartë personal, me bagazh të sportistit e jo turistit. Organizatat sportive janë mbushur me njerëz që askush s’i njeh për kontribut në sport dhe kjo është bërë trend”, ka thënë Kuka në një postim në Facebook teksa është ankuar edhe për analizën që u bëhet performancave të federatave sportive.

“Disa garues shkojnë në Kampionate Evropiane e Botërore dhe raportohet se janë thyer rekordet e Kosovës. Pse ky fenomen, atje shkohet të garohet me shtete tjera e jo e kundërta”, ka shtuar ai.

Sipas Kukës, një numër shumë i vogël i federatave sportive në vend është serioz në prezantim ndërkombëtar.

Ka aluduar se përmes një Këshilli Kombëtar të Sportit do të bëhej një analizë më e mirëfilltë se sa sporte kanë fituar medalje e sa mjete ndahen nëpër federata për sportistë e trajnerë.

Në fund e ka quajtur “hajgare” kategorizimin e sporteve vetëm me rezultat elitar.

Federata e xhudos, që deri tash është më e suksesshmja sportive në Kosovë, nuk ka përfaqësues në Bordin e ri Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës, pasi drejtues të saj s’morën besimin në Asamblenë e fundit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme