Shqipëria do të vaksinojë gjithsej 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës. Më 19 mars Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka njoftuar se të shtunën 250 punëtorë shëndetësorë të Kosovës do të dërgohen për vaksinim në Kukës, Shqipëri.
Udhëheqësi i kësaj federate Blerim Syla, ka thënë përmes një njoftimi për media se 250 punëtorë shëndetësorë tjerë do të vaksinohen në ditët në vijim.
Ende nuk dihet se kur do të arrijnë vaksinat në Kosovë
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.
Ky shtet pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.
Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.