Kukësi u mund 1-0 nga Austria e Vjenës në ndeshjen e parë të turit të dytë paraeleminator të Europa Ligës, një rezultat shpresëdhënës për nënkampionët e Shqipërisë të cilët sfidën e kthimit do ta luajnë në “Elbasan Arena” duke pasur mbështetjen e tifozërisë së vet.
Pjesa e parë foli më shumë për austriakët të cilët duke përfituar dhe nga faktori fushë u shfaqën më të rrezikshëm para portë së Koliqit. Përpjekjet e tyre dhanë rezultat në minutën e 24, kur Pires kaloi vendasit në avantazh.
Kuksianët e Likës tentuan të kundërpërgjigjeshin por përpjekjet e pakta të tyre nuk dhanë asnjë rezultat.
E dyta foli e gjitha për nënkampionët e Shqipërisë te cilët në fundin e saj kishin mundësinë më të mirë për të barazuar e ndoshta për të siguruar që në Austri kualifikimin, por gjuajtja e Eminit u ndalua nga traversa.
Pavarësisht humbjes, loja e kuksianëve në Vjenë dhe rikthimi i tifozërisë së saj në “Elbasan Arena” i bën ata më optimistë për ndeshjen e kthimit.