“Kuku për neve”: Flet pronari i qendrës ku u rrah e moshuara nga infermierja

Prishtinë | 02 Nën 2022 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Anton Rasaj, pronar i Qendrës për të Moshuar në Pejë “Orenda”, ka folur ekskluzivisht për gazetën Nacionale në lidhje me rrahjen e të moshuarës nga disa inferemiere.

Rasaj i cili jeton në Zvicër, ka shprehur për gazetën Nacionale dëshpërimin e tij për ngjarjen e ndodhur.

“Kuku për neve, çka ko me bo. Në Kosovë vëlla jo, jo në Kosovë, por këto mund të ndodhin gjithkah,” deklaroi Rasaj për Nacionalen.

Rasaj ka bërë të ditur se aktualisht është me hetuesit dhe avokatët. Ai ka theksuar se punëtoret janë përjashtuar menjëherë nga puna, dhe ato janë në Stacionin e Policisë.

“Në ora 7 do të kemi deklaratë. Tani jemi me hetuesi e me avokatë. Ato motrat janë përjashtuar nga puna, faktikisht janë në Polici. Në ora 19:00 do të jepim deklaratë. Nëse keni interes mundeni me ardhë. Ne do të jepim vetëm një deklaratë të shkurtër,” – deklaroi Rasaj për Nacionalen.

Ai konfirmoi se është pronar i kësaj qendre që nga themelimi i saj.

Një video jashtëzakonisht shqetësuese e ka postuar Kaltrinë Zeneli, aktore e njohur e Kosovës. Në video shihet derisa ndodh një ngjarje e rëndë.

Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket sikur të jenë infermiere. Ajo nuk ka treguar se ku ka ndodhur rasti dhe në çfarë kohe.

Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.

Zeneli ka shkruar se mënyra se si keqtrajtohet zonja në moshë, tregon se një gjë e tillë është normale në këtë qendër kujdesi.

Ky rast ka ndodhur në Qendrën për të Moshuar “Orenda” në Pejë.

Tashmë, dy punëtore të qendrës janë arrestuar për rrahjen e të moshuarës. Lajmin e ka konfirmuar Fadil Gashi nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës.

“Policia e Kosovës – Stacioni Policore nё Pejё, duke u bazuar nё video incizimin i cili ka qarkulluar nё media sociale, ku shihet se njё punёtore nё njё shtёpi tё pleqeve nё Pejё, ёshtё duke ushtruar dhunё ndaj njё moshuare. Policia menjёherё ёshtё vёnё ne veprim dhe rreth orёs 14:10, ka identifikuar lokacionin, dhe ka arrestuar dy (2) tё dyshuara lidhur me rastin. Tё dyshuarat janё duke u intervistuar nga hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё, dhe nё koordimin tё plotё me prokurorin e shtetit do tё merren veprime te mëtutjeshme”, ka thënë Gashi.

Në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe dy prokurorë. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë për Nacionalen.

“Me të parë videon, Kryeprokurori i Pejës ka autorizuar dy prokurorë që kanë dalur në vendin e ngjarjes për të kryer të gjitha hetimet. Më vonë do të dalim me një njoftim për media”- ka thënë Nikqi për Nacionalen.

Të ngjashme