“55 shades of gay” nga Kosova në “La MaMa” të New Yorkut

Prishtinë | 08 Jan 2019 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Klubi teatror “La MaMa” në New York është një prej kompanive më me renome në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I themeluar më vitin 1961 nga artistja me nam botëror Ellen Stewart, klubi njihet për revolucion në ShBA sa i përket teatrit eksperimental. Shpejt do të kalonte edhe kufijtë.

Pikërisht ky institucion për herë të parë i ka bërë vend një shfaqjeje nga Kosova. Prej 7 deri më 17 mars për tetë herë radhazi do të jepet shfaqja “55 shades of gay”, produksion i qendrës “Multimedia” me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj e regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt. Shfaqja që ishte dhënë premierë në Kosovë në shator të vitit 2017, në New York do të jepet në “Ellen Stewart Theatre”, që mban pikërisht emrin e themelueses së kompanisë, regjisores e producentes së njohur e cila vdiq më 2011 në moshën 91-vjeçare.

“’55 shades of gay’ është një rrëfim burlesk për politikat rreth komunitetit LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e Bashkimit Evropian, mercenarët humanitarë të organizatave joqeveritare ndërkombëtare, e që goxha shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelë fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative − të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve − ndërsa që zyrtarë të BE-së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë”, shkruhet në përshkrimin që i është bërë shfaqjes. Aty sqarohet se me këtë manipulim, abuzim e nënshkrim, pyetjet që shtron shfaqja janë: “A është i mundur një çlirim seksual në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme