Gibson kritikohet për shkatërrimin e qindra kitarave të reja

Prishtinë | 03 Gus 2019 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Gibson po kritikohet pas shfaqjes së një videoje kohët e fundit ku prodhuesi i shkatërron qindra kitara në dukje të përdorshme.

Videoja, e publikuar nga ish-punonjësi i Gibson, BJ Wilkes, e tregon një koleksion të madh të instrumenteve të reja Firebird X, duke u shtypur nga një buldozer. Wilkes ka punuar për Gibson për gjashtë vjet, duke bërë punë të mirëmbajtjes dhe duke menaxhuar objektet.

Sipas ish-punonjësit, Gibson zgjodhi ta shkatërrojë një sasi të madhe të kitarave Firebird X, pasi që modeli në fjalë hasi në shitje të dobëta. “Gibson tekstualisht nuk mundi t’i shiste këto kitara dhe ato ishin në regjistrat financiarë,” shpjegoi Wilkes për kanalin e YouTube, Guitologist. Ai shtoi se investitorët e rinj të kompanisë po përpiqeshin ta pastronin rrëmujën para fundit të vitit fiskal.

Gjiganti i kitarave ka pasur periudha të vështira gjatë viteve të kaluara. Borxhi në rritje çoi në pushime nga puna, pushimin e ish-CEO Henry Juszkiewicz dhe një aplikim për falimentim. Modeli Firebird X u konceptua nën drejtimin e Juszkiewicz.

“Firebird X ishte një kitarë e tmerrshme, me shumë teknologji të gjitha të bazuara në Windows 98 ose diçka të tillë,” zbuloi Wilkes. Ai gjithashtu vuri në dukje se Gibson i shkatërroi në mënyrë rutinore kitarat në vend se t’i ridestinonte ato: “I kam parë duke i marrë çdo ditë nga 10, 20 kitara ES që ishin ngjyrosur dhe të gatshme, dhe thjesht i shkatërronin ato”, sepse kishte defekte të vogla.”

Derisa videoja e shkatërrimit u përhap në internet, shumë njerëz menduan hapur se pse Gibson nuk i dhuroi kitarat për ndonjë kauzë të denjë, shkruan KOHA Ditore. Prodhuesi i adresoi këto shqetësime në një deklaratë duke pohuar se videoja e paraqiste “një grup të izoluar të modeleve Firebird X të prodhuara në mes viteve 2009-2011, të cilat ishin të pasigurta dhe të dëmtuara me përbërës të pasigurt. Ky grup i izoluar i modeleve Firebird X nuk mund të dhurohej për asnjë qëllim dhe u shkatërrua në përputhje me rrethanat.”

Gibson njoftoi gjithashtu se është përkushtuar ta dhurojë “nga një kitarë në ditë gjatë 1000 ditëve të ardhshme.” Shpresa e tyre është që kjo përpjekje do të riafirmojë ‘përkushtimin e Gibson për të dhuruar, duke i ndihmuar programet e pamjaftueshme të edukimit muzikor, fuqizimin e kulturës muzikore dhe inkurajimin e krijimtarisë muzikore’.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme