Ndahen Megan Fox dhe Brian Austin Green pas 10 vjetësh martesë

Prishtinë | 19 Maj 2020 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Aktori, Brian Austin Green, e ka konfirmuar lajmin se ai dhe bashkëshortja e tij, Megan Fox, janë ndarë pas një dekade martesë.

Ylli i serisë “Beverly Hills, 90210”, 46-vjeçari Green dhe aktorja e famshme e hollywoodit, 35-vjeçarja Fox, ishin kurorëzuar në vitin 2010 dhe i kanë tre djem së bashku, transmeton Koha.

Green e zbuloi lajmin e ndarjes në episodin e fundit të ‘podcastit’ të tij, duke thënë se ata kanë provuar të qëndrojnë larg njëri-tjetrit, prej dhjetorit të vitit të kaluar.

“Unë gjithmonë do ta dua atë. Dhe e di që edhe ajo do të më dojë gjithmonë, sepse familja që e kemi krijuar së bashku është shumë ‘cool’ dhe e veçantë,” citohet të ketë thënë aktori.

Green po ashtu tha që së bashku si familje, edhe pas ndarjes do t’i kalojnë bashkë festat dhe pushimet vjetore. Aktori dukej mjaft i emocionuar teksa fliste për ndarjen nga Fox, duke e quajtur atë mikeshën e tij më të mirë për 15-vjet.

“Është shumë keq kur jeta ndryshon dhe diçka me të cilën ti je mësuar, përnjëherë merr kahe tjetër. Por, nuk dua që unë dhe Megan të ndryshojmë karshi njëri-tjetrit. Ajo ka qenë mikesha ime më e mirë për 15 vjet dhe nuk dua ta humbas këtë raport”.

Green gjithashtu iu referua disa fotografive të cilat po qarkullojnë së fundmi në portale të ndryshme, ku Fox shihet në shoqërinë e reperit “Machine Gun Kelly”, emri i vërtetë i së cilit është Colson Baker.

“Ajo është takuar me një mashkull të quajtur Colson, në sheshin e xhirimeve. Unë nuk e kam takuar atë asnjëherë. Por, Megan dhe unë kemi diskutuar për të. Aktualisht ata janë vetëm miq të mirë, por unë i besoj gjykimit të saj, dhe e di se çdo vendim që e merr është i menduar mirë dhe me kujdes. Prandaj nuk dua që njerëzit të mendojnë për Meganin apo Colsonin, si persona të këqij apo që unë jam viktimë në ndonjë mënyrë,” ka përfunduar tutje aktori.

Green dhe Fox, e cila shquhet për role në filma të tillë si, “Transformers”, “Jennifer’s Body” dhe “Above the Shadows”, e kishin filluar lidhjen romantike në vitin 2004, kur ai ishte 30-vjeçar ndërsa aktorja vetëm 18-vjeçare.

Dyshja ishte fejuar në vitin 2006 ndërsa e kishin kurorëzuar lidhjen me martesë në qershor të vitit 2010, me një dasmë private në Hawaii.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme