Reperi Kanye West është regjistruar për zgjedhjet presidenciale në Oklahoma

Prishtinë | 16 Kor 2020 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Superylli i muzikës rep Kanye West është kualifikuar për t’u paraqitur në zgjedhjet presidenciale në Oklahoma, shtetin e parë në SHBA ku ai i ka plotësuar kriteret para afatit përfundimtar, shkruan agjencia AP.

Por, mbetet një konfuzion nëse ai do të garojë ende për president. Kanye West më herët ka njoftuar se do të kandidojë për president të SHBA-së.

Një përfaqësues i Westit ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm dhe ka paguar 35 mijë dollarë të mërkurën mbrëma, që ishte afati përfundimtar për një vend në garën në zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor, ka thënë zëdhënësja e Bordit të Zgjedhjeve të Oklahomas, Misha Mohr. Ai është një nga tre kandidatët e pavarur presidencial që kanë paguar dhe dorëzuar dokumentacionet para afatit përfundimtar, ka shtuar Mohr. Të tjerët janë pianisti Jade Simmons dhe sipërmarrësi i kriptovalutave, Brock Pierce.

Dorëzimi i dokumenteve nga ana e Westit ka ardhur një ditë pasi revista “Intelligencer”, duke cituar këshilltarin e Westit, Steve Kremar, kishte thënë se ai është tërhequr nga gara për president të SHBA-së dhe ka shtuar se stafi që ai kishte angazhuar është dëshpëruar. Mirëpo, West duket se synon të vazhdojë garën. Ai ka humbur afatin përfundimtar kohor për zgjedhjet presidenciale në disa shtete dhe është e paqartë nëse ai ka vullnet apo nëse është i gatshëm për të marrë mjaftueshëm nënshkrime për t’u kualifikuar në shtetet tjera.

West fillimisht ka kumtuar kandidaturën e tij për president të SHBA-së më 4 korrik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme