Rihanna kërcënon me padi Presidentin Donald Trump

Prishtinë | 07 Nën 2018 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Këngëtarja me famë botërore, Rihanna, i ka dërguar një letër të hapur Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Në këtë letër, këngëtarja nga Barbadosi, ka kërcënuar presidentin se do ta padisë në gjykatë, dhe shkas për këtë është bërë përdorimi i paautorizuar i materialeve të saj muzikore, në mitingje politike.

Sipas raportimeve, kënga hit e saj “Don’t stop the music”, u lëshua në një tubim të fushatës të së dielës për kandidatin e Senatit Republikan, Marsha Blackburn.

“Vëmë në dukje se Presidenti Trump ka shfrytëzuar kompozimet muzikore dhe këngët e Rihannës, duke përfshirë edhe këngën e saj hit “Don’t stop the music’, në një numër ngjarjesh politike të mbajtura në të gjithë Shtetet e Bashkuara”, thuhet në kumtimin e ekipit ligjor të këngëtares.

“Ashtu siç jeni ose duhet të keni parasysh, zonjusha Fenty nuk i ka dhënë pëlqimin e saj z. Trump për të përdorur muzikën e saj. Një përdorim i tillë është pra i paautoriozuar”, thuhet më tej në letër.

Ndërkohë, edhe vet Rihanna, e cila ka treguar disa herë qëndrimet e saj kundër presidentit, u deklarua së fundmi në lidhje me këtë çështje.

“Ta bëjë sërish dhe do përfundojë në gjyq. As unë, as njerëzit e mi nuk do jemi pjesë e këtyre mitingjeve tragjike”, ka thënë ajo për Washington Post.

Nuk është hera e parë që një president kërcënohet në këtë mënyrë. Disa nga artistët tjerë të cilët nuk autorizojnë përdorimin e muzikës së tyre nëpër mitingje janë: Steven Tyler, Pharrell Williams, etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme