Në qendër të qytetit të Vitisë ka filluar sot shpërndarja e sistemit të ujitjes për 18 fermerë vitias të cilët merren me kultivimin e Vishnjës. Ky projekt është realizuar në bashkëpunim të ngushtë të Komunës së Vitisë me projektin “AGRO” financuar nga USAID-i.
Në kuadër të projektit “Vishnje 2017” fillimisht fermerët kishin përfituar fidanët e vishnjës. Kurse më parë nga po ky projekt është bërë edhe shpërndarja e sistemit të ujitjes për kultivuesit e mjedrës.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka falënderuar projektin AGRO USAID për siç tha ai angazhimet e veçanta për komunën e Vitisë në veçanti edhe për sektorin e bujqësisë.
Haliti bëri me dije se investimet në fushën e bujqësisë në këtë komunë janë milionëshe.
“ Vetëm gjatë vitit të kaluar i ka pasur mbi 2 milion e 161 mijë euro investime në bujqësi. Ne i kemi pas planifikuar që për katër vite 1 milion euro dhe vetëm në vitin 2016 kemi bërë një tejkalim mbi 100 përqind. Në këtë kuptim ne do të vazhdojmë si komunë të shtojmë fondet që i kemi dhe këtë shtim do ta bëjmë në bashkëpunim me Organizatat Qeveritare dhe Jo Qeveritare si në këtë rast me USAID-in”, u shpreh Kryetari Haliti.
Ai shtoi se pos projekteve komunale ata po punojnë edhe në realizimin e projekteve regjionale në Anamoravë dhe atë në sektorë të ndryshëm. Ai gjithashtu theksoi se pos projekteve të tilla po bëhet edhe kompletimi i infrastrukturës rrugore, konkretisht rregullimi i rrugëve bujqësore me qëllim që fermerët vitias të kenë kushte për punë.
Kurse Veton Ademi, drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural ndër tjerash tha se gjatë këtij viti janë realizuar projekte të shumta në fushën e bujqësisë.
“Siç e dini komuna e Vitisë gjatë këtij vitit ka realizuar projekte të shumta në fushën e bujqësisë. Duke filluar nga inkubatorët në fillim të vitit, shpërndarjen e koshereve për bletarë, sistem të ujitjes për dy shoqata të grave duke vazhduar me projekte të tjera si shpërndarja e folisë për melqerim për shalqirin ku kanë përfituar 50 fermerë”, u shpreh Ademi duke potencuar se sot po bëhet shpërndarja e sistemit të ujitjes në kuadër të një projekti që është realizuar nga kjo komunë në bashkëpunim AGRO USAID dhe partnerët e tyre strategjik në fillim të këtij viti janë shpërndarë rreth 18 ha fidanë të vishnjës.
Ai tha se obligim i komunës ka qenë që fermerët përfitues të vishnjës të pajisjen me sistem të ujitjes. Kurse në ceremoninë e pranim dorëzimit të sistemit të ujitjes i pranishëm ishte edhe Maxhun Shehaj, përfaqësues i projektit AGRO i financuar nga USAID-i.