Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, dhe ndihmësit e tij do ta përcjellin me shumë vëmendje ndeshjen që të martën (sot, 20:45) luhet në stadiumin “National Arena Toshe Proeski” në Shkup. Përballen Maqedonia Veriore dhe Izraeli, në një prej ndeshjeve të fundit të eliminatoreve për “Euro 2020” në futboll.
Kosova i ka përfunduar të dielën mbrëma këto eliminatore, pa ia dalë që të sigurojë paraqitjen në Evropianin që vitin tjetër mbahet në shumë vende evropiane. “Dardanët” më 26 mars 2020 e vizitojnë Maqedoninë Veriore, në udhëtimin që shpresohet se do të sigurojë një ndeshje tjetër për 31 mars e më pas udhëtime të tjera për në verën e ardhshme, për pjesëmarrje në kampionatin e 16-të evropian të futbollit, shkruan sot Koha Ditore.
Ndeshja Maqedoni Veriore – Kosovë vlerësohet vendimtare në tentimin e “dardanëve” për kualifikim në Evropian. Është njëra prej gjysmëfinaleve të plejofit të Ligës D, të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Në gjysmëfinalen tjetër të plejofit të Ligës D takohen Gjeorgjia e Bjellorusia. Fituesit e gjysmëfinaleve takohen në finale të plejofit të Ligës D, të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Se ku do të luhet finalja do të përcaktohet përmes shortit që tërhiqet më 22 nëntor. Shorti do të përcaktojë ekipet potenciale vendase për ndeshjen finale që luhet më 31 mars.