Komuna e Shtimes ka planifikuar që më 1 prill të këtij viti ta mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal me qëllim që t’i ndajë 100 mijë euro për menaxhimin e situatës së pandemisë. Mirëpo mënyra e organizimit të kësaj mbledhjeje po kundërshtohet nga organizata joqeveritare “YAHR”, e cila monitoron zhvillimet në këtë komunë.
Sipas kësaj OJQ-je, është udhëzim i nivelit qendror që t’u shmangen të gjitha tubimeve të ndryshme për shkak të virusit COVID19, andaj mbledhja e Kuvendit nuk mund të mbahej në një ambient siç e ka planifikuar Komuna e Shtimes. “Të gjitha institucionet e tjera po u largohen tubimeve të ndryshme, ndërkohë Komuna e Shtimes ka planifikuar mbajtjen e një mbledhjeje në ambient të mbyllur në Shtëpinë e Kulturës, shkruan KOHA.
Kjo mënyrë e mbajtjes së mbledhjes është e papranueshme sepse është dashur të merrej shembull konkret se si komunat tjera e kanë miratuar buxhetin për menaxhimin e situatës. Ne e sugjerojmë ekzekutivin dhe sektorin e Kuvendit Komunal në Shtime që ta krijojnë një platformë elektronike në mënyrë që kuvendarët mund të votojnë pro ose kundër nga shtëpia pa e rrezikuar askënd, po ashtu mund të japin edhe komente apo sugjerime rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Bekim Krasniqi, drejtor ekzekutiv në OJQ “YAHR”. Sipas tij, Komuna e Shtimes duhet ta marrë si mostër në këtë rast Komunën e Lipjanit e cila tashmë ka ndarë një shumë të mjeteve financiare nëpërmjet një platforme elektronike dhe nuk ka pasur asnjë telash. Në këtë mënyrë i është shmangur tubimit dhe kontakteve fizike ndërmjet kuvendarëve.
“Një platformë e tillë mund të realizohet brenda pak orësh dhe nuk do të ketë nevojë që të mblidhen të gjithë kuvendarët sepse përhapja e virusit COVID19 është në rritje, prandaj duhet ta ruajnë secili shëndetin personal por edhe shëndetin e të tjerëve. Aq më keq se në këtë komunë para pak ditësh është lajmëruar një rast me koronavirus, i cili ka mundur të ketë kontakte edhe me persona të tjerë, prandaj institucionet duhet t’i kenë parasysh të gjitha gjërat dhe pasojat që mund të ndodhin”, ka thënë Krasniqi.
Nga ana tjetër, Medina Brahaj, kryesuese e Kuvendit Komunal në Shtime, ka thënë se prej dhjetë ditësh janë duke e diskutuar mënyrën për ta mbajtur mbledhjen e KK-së me qëllim që të ndahen 100 mijë euro për situatën e pandemisë. Ajo bën me dije se tashmë së bashku me ekzekutivin kanë vendosur që mbledhja të mbahej në Shtëpinë e Kulturës më 1 prill, duke konsideruar se kjo sallë i plotëson kushtet dhe kriteret e nevojshme me situatën aktuale.
“Do të kujdesemi që pjesëmarrësit t’i pajisemi me maska, dorëza dhe dezinfektues. Këto mjete ndahen për qëllim të menaxhimit të situatës së krijuar nga Covid-19 e që mund të jenë furnizime me pajisje mbrojtëse, medikamente, pako ushqimore, pako higjienike, por edhe projekte tjera dezinfektuese etj. Ndërkaq mbledhja do të transmetohet “online” përmes faqes zyrtare të komunës”, ka thënë Brahaj.
Ndërkohë rreth kësaj mbledhjeje, edhe Komuna e Shtimes nëpërmjet një komunikate u ka bërë thirrje të gjithë kuvendarëve që të marrin pjesë më 1 prill për ta votuar propozim-vendimin e ekzekutivit për ndarjen e 100 mijë eurove për situatën e krijuar. “Kryesuesja e Kuvendit Komunal në Shtime, Medina Brahaj, në bashkëpunim me kryetarin e Komunës, Naim Ismajli, kanë thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, me qëllim të aprovimit të mjeteve financiare në shumën prej 100,000.00€, për shkak të shpalljes së gjendjes emergjente të shëndetit publik. Mbledhja do të mbahet më 1.4.2020, me fillim nga ora 8:30. Vendi i mbajtjes së mbledhjes është salla e Shtëpisë së Kulturës”, thuhet midis të tjerash në komunikatë.