Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’ kundërshton sjelljen dhe deklarimet e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Republikës së Kosovës, Liburn Aliu, përkatësisht reagimin institucional ndaj aktivizmit qytetar, në rastin e ndërtimit të hidrocentraleve në Grykën e Deçanit, specifikisht në planin për restaurimin e Zallit të Rupës, si zonë më e dëmtuar gjatë këtij ndërtimi.
Në javët e fundit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka publikuar një koncept-plan për rehabilitimin e Zonës së Zallit të Rupës, të përpiluar nga një ekspert i kontraktuar nga investitori në Deçan ‘Kelkos Energy’. Ndaj këtij dokumenti kanë reaguar aktivistë të shoqërise civile, që janë të angazhuar për mbrojtjen e Lumbardhit qysh prej fillimit të ndërtimeve në këtë zonë, shkruan EkonomiaOnline.
IPS ‘Musine Kokalari’ konsideron se gjuha e përdorur nga Ministri Aliu në njërin nga emisionet televize karshi këtij reagimi përcjell mesazh të dëmshëm për demokracinë dhe aktivizmin për interesin publik në përgjithësi. Andaj më e pakta që Ministri mund të bëjë është kërkimfalja për gjuhën e përdorur ndaj grupit ‘Pishtarët’ të cilët i kanë prirë mbrojtjes së lumenjve në vendin tonë.
“Ftojmë po ashtu në marrje të përgjegjësisë për mosprezantimin e saktë të natyrës së angazhimit për planin e rehabilitimit të ekspertit Dr.Christoph Hauer, për të cilin u tha nga Ministri, se ai është caktuar nga organizata ‘Riverëatch’. Por kjo e fundit e demantoi nëpërmjet një letre të hapur drejtuar Ministrit nga ana e Z.Ulrich Eichelmann, Drejtor i organizatës ‘Riverëatch’, i cili shpjegoi se eksperti në fjalë vetëm se është rekomanduar nga ‘Riverëatch’, porse është kontraktuar nga Kelkos Energy. Në të njëjtën kohë, z.Eichelmann shprehu vlerësim të lartë për aktivistët e grupit ‘Pishtarët’,” thuhet në reagim.
Sipas tyre, deklarata të tilla janë bërë edhe më herët nga ministra të ndryshëm, efekti i vetëm i të cilave është humbja e kredibilitetit të institucioneve të vendit në raport me organizatat ndërkombëtare.
Gjatë këtij viti, Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’ ka publikuar një raport hulumtues mbi Ndikimin Social të Hidrocentraleve në Deçan, ku kanë evidentuar një sërë shkeljesh ligjore që e kanë përcjellur këtë proces. Shkelje këto që kanë derivuar në degradimin e zonës përreth Lumbardhit të Deçanit dhe vështirësimin e jetës për banorët e asaj zone.
Në anën tjetër ka qenë edhe rekomandim i tyre që në kuadër të procesit të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor të shtohet edhe dimensioni i ndikimit social që hidrocentralet kanë në komunitet.
Ata konsiderojnë që përfshirja e komunitetit dhe aktivistëve të shoqërisë civile në Deçan në procesin e rehabilitimit të zonës është domosdoshmëri praktike, pasi që këto grupe e dijnë më së miri dëmin e shkaktuar në atë pjesë./EkonomiaOnline/