Kuptimi i fshehur i intervistës së ambasdorit gjerman

Prishtinë | 23 Qer 2022 | 09:40 | Nga Afrim Kasolli

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, mbrëmë në një intervistë pohoi se kancelari Scholz erdhi këtu sepse Kosova ka shënuar përmirësim në luftën kundër korrupsionit. Madje, ai e quajti historike këtë vizitë. Nuk ka dyshim se vizita të tilla për Kosovën janë të një rëndësie të veçantë politike dhe diplomatike.

Mirëpo, shpeshherë në një prononcim publik ka rëndësi ajo që nuk thuhet hapur, por që nënkuptohet, se sa ajo që thuhet. Kështu sipas mesazhit që e transmetoi i dërguar i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, refuzimi i ish-përfaqësueseve të shtetit Gjerman për të bërë vizita në Kosovë, në këtë rast i ish-kancelares Angela Merkel, e cila nuk i vizitoi kurrë gjatë mandatit të saj institucionet shtetërore të Kosovës, paska qenë i lidhur me mos përkushtimin e ish-përfaqësuesve politikë të vendit në luftë kundër korrupsionit. Prandaj, ajo nuk ka pranuar të qëndroi asnjë një minutë, nën atë kulm ku shtëpia është e zhytur në korrupsion.

Një mesash i tillë është problematik. Dhe për më tepër nuk e pasqyron të vërtetën e plotë të këtij rrëfimi. Askush nuk mund ta mohoj se në qeverisjet e kaluara në Kosovës nuk ka pasur korrupsion. Mirëpo, shtrohet pyetja a kanë qenë strikt autoritetet gjermane, në ndjekje të këtij parimi në çdo vend të botës, apo vetëm në rastin e Kosovës.

Si në adhurues i filozofisë klasike gjermane, kam pasur rastin ta lexoi disa herë në përsiatjet e Immanuel Kant-it, se parimet morale ose janë universale dhe zbatohen pa kalkulime, ose nuk janë parime.

Prandaj, nëse shohim më nga afër personalitet që ka takuar dhe institucionet shtetërore që ka vizuar, ish-kancelaria gjermane, na del se nuk ka qenë shumë problem për ish-përfaqësuesit e shtetit gjerman të takojnë edhe liderë që nuk janë dalluar në luftë kundër korrupsionit. Madje, edhe të bëjnë marrëveshje tregtare dhe ekonomike me ta. Ajo e ka vizituar disa presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që është shembull eklatant i një i lideri oligark dhe model për të keq i shpërfilljes se parimeve dhe normave demokratike. Për më tepër, vizita të tilla kanë ndodhur edhe pasi fallangat e tij paramilitare e kishin sulmuar shtetin e Ukrainës, duke i dhunuar të gjitha parimet e së drejtës ndërkombëtare, vetëm pse ky vend aspironte t’i bashkohej bashkësisë evropiane. Sepse lufta në këtë shtet nuk ka filluar sot, por me 2014. U deshtë të ndodhë agresioni brutal tani në Ukrainë që te pezullohet projekti Nord Stram 2, kurse edhe vetë presidenti i Gjermanisë ta pranojë se politika e tij ndaj Rusisë së Putinit ka qenë gabim. Ajo po ashtu e ka vizuar edhe Kinën, një vend i drejtuar nga elita të korruptuara dhe që ndjekin politika të tmerrshme segregeuese ndaj komuniteteve jo kineze.

E të mos flasim për vizitat në vendet në rajon. Ajo ka qenë disa herë Serbi. Por ky shtet nuk është se ka qenë imun ndaj praktikave korruptive. E, lirisht mund të themi se ka qëndruar edhe me keq se Kosova. Për më tepër ai vend edhe në atë kohë edhe sot drejtohet nga elita politike që janë trashëgimi e projektit gjenocidial të Milosheviqit. Madje, spekulohet se presidenti serb Aleksandër Vuciq, për ta impresionuar ish-kancelaren Merkel, spitullohej para saj, se si po e lexon librin e njohur “Etika protestante dhe fryma e kapitalizmit” të sociologut të njohur gjerman Max Weber.

Por, edhe atëbotë pata reaguar, se nëse presidenti serb vërtetë dëshiron të mësojë nga përvoja shoqërisë gjermane atëherë është mirë që ish-kancelaria gjermane Angela Merkel, vetë ose të paktën nëpërmjet këshilltarëve të saj, e ka shansin t’i tregojë, kësaj “kavje morale” se nëse synon të transformohet atëherë krahas Max Weberit, ai ka obligim ta lexojë edhe Karl Jaspersin dhe librin e tij të famshëm “The Question of German Guilt”. Pra që nëpërmjet këtij libri të ndërgjegjësohet se ai dhe shteti që e drejton është i zhytur ende në moçalin e “fajit kriminal, politik, moral dhe metafizik”.

Këto të dhëna tregojnë se për ish-përfaqësuesit e shtetit gjerman nuk paska qenë problem që të vizitojnë vende dhe shtete që kanë qenë edhe më të korruptuara dhe shumë më pak demokratike se Kosova. Mirëpo, pse ish-kancelaria gjermane nuk hyri kurrë në institucionet e Kosovës, kjo është një çështje tjetër, por siç po shihet mungesa e standardeve demokratike, korrupsioni dhe mos përkushtimi për ta luftuar atë nuk paska qenë arsyeja kryesore.

Të ngjashme