Vjen ndonjë moment i caktuar në jetë kur gjithsecili nga ne mendon të paktën një herë të ndryshojë karrierën, ose thjesht të gjejë një balancë midis punës dhe jetës duke aplikuar kështu për pozicione pune të ndryshme nga ato që mund të kemi provuar më parë. Cilado që të jetë arsyeja, në këtë moment të jetës e gjejmë veten duke aplikuar për një punë për të cilën mund të jemi më tepër të kualifikuar seç duhet.
Problemi me kandidatët e mbikualifikuar është se punëdhënësit i dallojnë ata menjëherë dhe dalin në konkluzionin se persona të tillë në momentin që gjejnë një punë më të mirë dhe që u përshtatet atyre, janë të gatshëm të heqin dorë nga puna e parë për të cilën ishin të mbikualifikuar. Sigurisht asnjë nga punëdhënësit nuk e do një gjë të tillë, për faktin se secili prej tyre kërkon punonjës stabël dhe të qëndrueshëm.
Për të qenë të sinqertë arsyeja se pse ju po aplikoni në një punë për të cilën jeni më i kualifkuar seç duhet, është se thjesht keni nevojë urgjente për punë, çfarëdolloj qoftë ajo. Mirëpo për tu pranuar në punë në një situatë të tillë duhet të jeni të kujdesshëm që punëdhënësi mos ta kuptojë mbikualifikimin tuaj për atë pozicion pune. Më poshtë jepen disa këshilla për ndërtimin e CV-së dhe letrës së motivimit kur jeni më tepër i kualifikuar sesa duhet.
Minimizo paraqitjen e shumë titujve dhe diplomave: Normalisht kur aplikojmë për një punë, për t‘i bërë përshtypje punëdhënësit mundohemi të vëmë në dukje arritjet tona më të mëdha. Në kontekstin e situatës për të cilën po diskutojmë, rekomandohet të listohen diplomat e niveleve bachelor dhe/ose master në varësi nga pozicioni për të cilin ju po aplikoni.
Fokusohu në listimin e aftësive më shumë sesa të eksperiencave: Kjo do të thotëqë të listohen vetëm ato gjëra që i përshtaten më mirë pozicionit për të cilin po aplikoni, ndërsa të tjerat të lihen mënjanë.
Shpjego pse e do këtë punë më shumë se punët e tjera: Mundohu të demonstrosh interesin që ke për këtë punë si edhe kontributet që ti mendon se do të japësh në atë organizatë. Ju duhet të bindni punëdhënësin që jeni vërtetë i interesuar për këtë punë dhe se nuk jeni thjesht duke kërkuar për një punë që do ta lini në të ardhmen për diçka tjetër më të mirë.
Fokusohu në nevojat e punonjësit: Bëjuani të qartë punëdhënësit faktin sesi ju do i kryeni të gjitha detyrat që do të ju ngarkohen si edhe theksoni përfitimet që ju mendoni se do i sillni organizatës. Bëni kërkime për kompaninë, demonstroni që ju i kuptoni problemet me të cilat ajo po përballet si edhe prezantoni zgjidhjet tuaja për këto probleme.