KUR “Prishtina” ka njoftuar përmes një komunikate duke iu bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes me gypat dhe ujëmatësit pas ngritjes së temperaturave.
KUR “Prishtina” bën apel që të bashkëpunojnë me ekipet e Ujësjellësit në rast të pëlcitjes së gypave dhe të reagohet menjëherë me ndaljen e valvolave tek ujëmatësi që të mos shkaktohen dëme.
Kjo është komunikata e plotë KUR “Prishtina”:
Deri më tani janë 53 raste të lajmëruara për pëlcitjen e gypave të ujësjellësit në ndërtesa kolektive dhe nëpër shtëpi banimi. Të gjitha këto pëlcitje kanë ndodhur si shkak i temperaturave të ftohta që kanë mbretëruar ditë më parë, ndërsa tash ka filluar të shkrihet, dhe si rezultat rrjeti i hidrantëve që ka qenë i ngrirë, tash kur shkrihet pëlcet.
Për shkak të temperaturave të ulëta që kishim dhe me ngritjen e temperaturave nga dje dhe sot ka bërë që tani aty ku vertikalet kanë qenë të ngrira të shpërthejnë për shkak të bymimit te akullit (apo shkrirjes së akullit).
Andaj KUR “Prishtina” bën APEL që të bëhet kujdes dhe që qytetarët të bashkëpunojnë me ekipet e ujësjellësit që kanë punuar tërë natën dhe janë duke punuar që këto probleme të sanohen sa më shpejt dhe të kthehet gjendja normale.
Në rast të pëlcitjes së vertikaleve në ndërtesa të REAGOHET menjëherë me ndaljen e valvolave tek ujëmatësi për të mos shkaktuar DËME tjera në ndërtesa.
KUR “Prishtina” është duke u angazhuar me të gjitha kapacitetet që qytetarët të mos kenë problem me furnizimin me ujë dhe të kalohet kjo situatë pas temperaturave minus që ishin.
Në ndërkohë kemi edhe rritje enorme të konsumit që vjen nga frika e konsumatorëve që janë duke i mbajtur rubinetat e hapura, me idenë që të mos vije deri te ngrirja e tubacioneve dhe si pasojë kemi vështirësi serioze t’i mbulojmë pikat më të larta me furnizim me ujë të pijes, siç është lagjja e Vneshtave dhe Rruga e Ulqinit dhe vendbanimet e larta tek Zllatari dhe në Arbëri, lagjja Fidanishte.