Deputeti Albin Kurti ka thënë gjatë tubimit zgjedhor qendror në Gjilan se nuk është pushteti për personin jo të duhur, por njeriu i duhur është për pushtet. Ai shtoi se Sami Kurteshi e meriton numrin 10 dhe notën 10, pasi që tha se ai e ka dijen, nderin, guximin dhe se është punëtor i madh.
“Prandaj, edhe ata që nuk kanë votuar më herët, duhet ta votojnë tash Sami Kurteshin. Edhe ata që kanë votuar PDK-në, AAK-në, PD-në, NISMA-n, apo partite tjera, duhet ta votojnë Sami Kurteshin. Janë mbi 30 mijë nënshkrime në peticionin kundër decentralizimit etnik. Shumë prej tyre që nënshkruan ishin anëtarë ose votues të PDK-së. Ata duhet ta votojnë Sami Kurteshin dhe numrin 10 për t’i qëndruar besnik atij peticioni, për t’i qëndruar besnik vetes së tyre”, porositi Kurti gjilanasit.
Më tej Kurti ka listuar 47 arsye pse nuk duhet votuar Lutfi Hazirin, duke përmendur fillimisht decentralizimin mbi baza etnike, për të cilin tha se është themeli i “Zajednicës”. Ai fajësoi Hazirin për përgjysmimin e territorit të Gjilanit dhe heqjen e 12 zonave kadastrale të këtij qyteti, si dhe numëroi fshatrat pa të cilat Gjilani mbeti si pasojë e procesit të decentralizimit.
Në mesin e këtyre arsyeve, Kurti përmendi edhe ndotjen e lumenjve, mbylljen e Shkollës së Bujqësisë, keqpërdorimin e parasë publike, mungesën e ujësjellësit dhe kanalizimit në qytet e fshatra, kushtet e këqija në shkolla dhe mungesën e laboratorëve dhe bibiliotekave në to, punësimet me libreza partie, kushtet e këqija në treg të gjelbërt, mungesën e terreneve sportive dhe parqeve, mungesën e çerdheve, gjendjen e rëndë në qendrat e mjekësisë familjare, mungesën e subvencioneve për bujqit, papastërtinë në qytet, blerjen e votave, degradimin e kinemasë dhe shndërrimin e hapësirës së saj në parking, dallaverat me tenderë dhe e ka kritikuar për infrastrukturë të dobët rrugore e mashtrime sa i përket autoudhës. E pas tyre, deputeti Kurti ka dhënë 10 arsye pse duhet votuar Sami Kurteshi, numër ky që VV e mban në këto zgjedhje.
“Janë 10 arsye të fuqishme pse duhet votuar Sami Kurteshin. Sami Kurteshi ia heq erën e e keqe që kundërmon Gjilanit me 10 impijante e kanalizime. Dy – Sami Kurteshi ndërton 2 shkolla të reja dhe i rregullon ato që ekzistojnë. Tre – Sami Kurteshi ndërton 4 çerdhe të reja dhe i rregullon ato 3 që ekzistojnë. Katër – Sami Kurteshi i ndërton 5 parqe të reja me kënde lojërash për fëmijë. Pesë – Sami Kurteshi ndërton 10 terrene sportive në fshatra e në qytet. Gjashtë – Sami Kurteshi i sjell 21 autobusë dhe i lidhë fshatrat e lagjet e qytetit me transport publik cilësor me standarte evropiane. Shtatë – Sami Kurteshi e sjell Kinemanë në Gjilan. Tetë – Sami Kurteshi e gjallëron Teatrin, nuk i lë punëtorët aty pa rroga. Nëntë – Sami Kurteshi sjell investime nga mërgata në Gjilan. Dhjetë – Sami Kurteshi i dhuron 100 euro secilës nënë që lind fëmijë në Gjilan”, ka thënë Kurti.
Ai më pas ka thënë se traumave të luftës i janë shtuar depresioni prej papunësisë e mllefi nga padrejtësia. Si dhe shtoi se për këtë, qytetarëve të Gjilanit i duhet punësimi e drejtësia, dhe për këtë ftoi që të mbështetet Sami Kurteshi, me qeverisjen e të cilit u zotua se garantohet mirëqenie për gjithë qytetarët.