Kurti: 106 milionë euro investim, Parku i Erës në Zatriq prodhon energji të pastër për rreth 45 mijë familje

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është përuruar Parku i Erës në Zatriq, një projekt me vlerë prej 106 milionë eurosh.

Sipas Kurtit, parku pritet të prodhojë rreth 185 gigavat-orë energji të pastër në vit, sasi që mbulon nevojat vjetore të energjisë për rreth 45 mijë familje.

“Me këtë park të ri të erës, po shtojmë një tjetër gur në themelet e një të ardhmeje energjetike më të pastër, më të sigurt dhe më të qëndrueshme në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.

Parku përbëhet nga 12 turbina, secila me kapacitet prej 6.1 megavatësh. Sipas kryeministrit në detyrë, nga ky kapacitet i ri energjetik Kosova pritet të kursejë mbi 27 milionë euro në vit.

Kurti ka shprehur mirënjohje për kompaninë EV Wind Park, partnerët Çalık Renewables dhe Eurokos Holding, si dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin dhe realizimin e projektit.

Të ngjashme