Kurti asnjë fjalë deri tash rreth Rezolutës kundër raportit të Dick Martyt që miratoi Shqipëria

Prishtinë | 22 Kor 2022 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, s’ka reaguar ende për miratimin e Rezolutës kundër raportit të Dick Martyt, që u miratua dje në Kuvendin e Shqipërisë, e cila do të dërgohet në Këshillin e Evropës.

Përmes kësaj Rezolute, Shqipëria po synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës, raporton Express.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar mbrëmë rezolutën kundër raportit të Dick Martyt. Pro kësaj resolute votuan 125 deputetë.

Për miratimin e kësaj rezolute është deklaruar sot Presidentja Vjosa Osmani, pasi është pyetur nga gazetarët gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën.

Osmani ka thënë se s’mund të pritet një përshëndetje speciale për një zhvillim të tillë, meqë siç thekson ajo qëndrimi i Kosovës për pastërtinë e luftës së UÇK-së është i përditshëm.

“Nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë të veçantë, sepse qëndrimi ynë për pastërtinë e luftës çlirimtare është i çdoditshëm, është në çdo veprim tonin, është në çdo punë tonën, është në çdo frymarrje tonën dhe çdo punë që e bëjmë për ta çuar Kosovën përpara, ne e nderojmë secilin çlirimtare. Prandaj qoftë rezolutat që miratohen në Shqipëri, qoftë në Kosovë, ne vazhdimisht e kemi konfirmuar një të vërtetë e cila asnjëherë nuk do të mund të ndryshohet nga askush, pavarësisht nga përpjekjet e Serbisë dhe aleatëve të saj. E vërteta është kjo. Serbia ka qenë agresori, Kosova ka qenë viktimë e një regjimi gjenocidal, UCK-ja e ka mbrojtur popullin e Kosovës dhe ka luftuar për lirinë e vendit tonë”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka thënë se ekziston edhe një parim bazë juridik që një rezoluta apo akt politik ose juridik mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato.

“Sa i përket rezolutës së miratuar nga Kuvendi, natyrisht që rezolutat shprehin vullnetet politike të parlamenteve përkatëse. Mirëpo poashtu ekziston edhe një parim bazik juridik, që një akt, qoftë ajo rezoluta apo akt politik apo juridik mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato. Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur atë që secili shqiptar e ka thënë deri sot që Lufta çlirimtare e Kosovës, Lufta çlirimtare UÇK-së s’mund të zhbëhet nga askush. Historinë s’mund ta ndryshojë askush. Kosova asnjëherë nuk ka pasur çfarë të fsheh, sepse Kosova e ka mbrojtur vetveten nga një regjim gjenocidal të udhëhequr nga Millosheviqi në atë kohë, mbetjet e të cilit janë ende në Serbi për fat të keq, në kontekst të mentalitetit po flas”, ka shtuar tutje Osmani.

Për dallim nga Osmani, kryeministri Albin Kurti s’ka dhënë asnjë deklaratë për këtë çështje.

Postimi i tij i fundit në Facebook është i para dy ditëve, ku njoftoi për vendimet e marra në mbledhjen e fundit të Qeverisë, që ai drejton.

Të ngjashme