Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rëndësinë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në suazat e samitit për investime në Ballkan, që po mbahet në Londër. Në videon e shpërndarë nga llogaria e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Kurti u është përgjigjur pyetjeve rreth qeverisë së tij, duke thënë se ndonëse BE-ja si tërësi do të mund të bënte më shumë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është ajo që e gëzon respektin e shteteve anëtare të Ballkanit Perëndimor.
“Shtatëdhjetë vjet më parë, Evropa e kishte SHBA-në dhe Planin Marshall. Ne ndërkaq e kemi BE-në. Dhe, ndonëse ne mund të bëjmë më shumë, edhe BE-ja mund të bëjë më shumë”, ka thënë Kurti. “Sidoqoftë, diçka që vjen nga Evropa dhe të cilën e çmojmë në Ballkanin Perëndimor është BERZH, pasi që fjalë kyçe e saja janë investimet”, ka shtuar ai.
Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti gjatë kësaj interviste i ka shpalosur prioritetet e qeverisë së tij, ka thënë se fokus i qeverisë do të jetë sundimi i ligjit.
“Do të fokusohemi tek sundimi i ligjit, në mënyrë që ta luftojmë korrupsionin, ta ndalim korrupsionin, si dhe t’i sigurojmë investimet. Por, në anën tjetër, ne po ashtu do ta lidhim tregun e punës me arsimimin cilësor”, ka thënë ai, duke e shtuar në këtë mes domosdoshmërinë për infrastrukturë më të mirë, posaçërisht hekurudhore.
“BERZH është në e mira që mund të marrim dhe besoj se me qeverinë tonë mund të bëjmë gjëra që nuk i kemi bërë më parë. Do të fokusohemi midis tjerash në lidhjen midis Prizrenit dhe Tetovës, por edhe në rehabilitimin e hekurudhës jug-veri, nga Hani i Elezit në Leshakë”, ka thënë ai.