Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se prioritet i qeverisjes së tij është cilësia në arsimin e lartë dhe pavarësia e Agjencisë për Akreditim, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën me titullin “Ndikimi i mekanizmave të sigurimit të cilësisë në krijimin e një kulture cilësore në arsimin e lartë”, organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, shefi i ekzekutivit ka përmendur Projektligjin për Arsimin e Lartë dhe atë për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u shpreh se cilësia në arsimin e lartë në Kosovë qëndron lart mes prioriteteve të Qeverisë, për çka edhe është duke u punuar për modernizimin e arsimit të lartë dhe për vendosjen e kritereve adekuate për ngritjen e mirëmbajtjen e cilësisë së arsimit të lartë.
“Andaj jemi edhe sot këtu, për të përforcuar urat e vjetra dhe për të ndërtuar ura të reja, mes Agjencisë së Kosovës për Akreditim në njërën anë dhe Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) në anën tjetër, ashtu si edhe Institucioneve të Arsimit të Lartë e partnerëve tanë ndërkombëtarë”, deklaroi kryeministri.
Në këtë kontekst, ai tregoi se është finalizuar Projektligji për Arsimin e Lartë dhe Ligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) i cili garanton pavarësinë institucionale dhe financiare të AKA-së, merr në konsideratë rekomandimet e ENQA-së, si dhe garanton harmonizimin e sistemit tonë të arsimit me Standardet dhe Udhëzuesit Evropian të sigurimit të cilësisë (ESG).
Agjencia e Kosovës për Akreditim e ka gjithë pavarësinë e saj institucionale, vazhdoi kryeministri, teksa shtoi se kanë inkurajuar AKA-në për nxitjen e bashkëpunimit me Institucionet e Arsimit të Lartë dhe për transparencë të plotë, veprime këto që krijojnë parakushtet për anëtarësimin e AKA-së në ENQA dhe EQAR.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
E nderuara Kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, znj. Hasnije Ilazi,
I nderuari Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, z. Naim Gashi,
I nderuari President i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e lartë EQAR, z. Stéphane Lauwick,
E nderuara Zëvendëspresidente e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), znj. Cristina Ghitulica,
Të nderuar deputetë të Komisionit Parlamentar për Arsim,
I nderuari ambasador i Republikës së Austrisë në Kosovë,
Përfaqësues të Ambasadës së Kroacisë,
Të nderuar rektorë e prorektorë të universiteteve tona,
Të nderuar pjesëmarrës,
Më vjen mirë që po ju drejtohem në hapje të kësaj konference ndërkombëtare për cilësinë në arsimin e lartë, organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim. Dhe kjo pak ditë para fillimit të vitit të ri akademik.
Kosova vendi ynë, paraqet një rast shumë të veçantë se si një universitet, praktikisht e ka prodhuar vetë shtetin. E kam fjalën për Universitetin e Prishtinës, i cili që nga themelimi i tij në vitin 1970, ka prodhuar gjithë elitat kulturore, profesionale dhe politike, që i kanë prirë proceseve emancipuese shoqërore dhe përpjekjes së popullit të Kosovës për çlirim dhe për krijimin e Republikës së Kosovës. Kjo e tregon më së miri se sa i rëndësishëm është për vendin tonë arsimi i lartë, konkretisht niveli i cilësisë nëpër universitete dhe kolegje.
Cilësia në arsimin e lartë në Kosovë qëndron lart mes prioriteteve të Qeverisë sonë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, është duke u kujdesur veçanërisht për modernizimin e arsimit të lartë dhe për vendosjen e kritereve adekuate për ngritjen dhe mirëmbajtjen e cilësisë së arsimit të lartë. Në këto politika të Qeverisë sonë, janë shumë të rëndësishme marrëdhëniet e institucioneve përkatëse të arsimit të lartë me agjencionet dhe mekanizmat evropianë e ndërkombëtarë për cilësinë në arsimin e lartë dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në përgjithësi.
Më vjen keq që në vitet e fundit, këto raporte nuk kanë qenë gjithmonë në nivelin e dëshirueshëm. Andaj jemi edhe sot këtu, për të përforcuar urat e vjetra dhe për të ndërtuar ura të reja, mes Agjencisë së Kosovës për Akreditim në njërën anë dhe Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) në anën tjetër, ashtu si edhe Institucioneve të Arsimit të Lartë e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Agjencia e Kosovës për Akreditim e ka gjithë pavarësinë e saj institucionale dhe kapacitetin për ta përcjellur vullnetin dhe energjinë e përplotësimit të rrjetit të bashkëpunimit ndërkombëtar për kultivimin e cilësisë së arsimit të lartë në Republikën tonë.
Por ne si Qeveri e Kosovës jemi angazhuar në vazhdimësi teksa e kemi finalizuar Projektligjin për Arsimin e Lartë i cili edhe është votuar në mbledhje të qeverisë dhe tash ndodhet te Kuvendi i Republikës. Ashtu siç është finalizuar dhe votuar në Kuvend edhe Ligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) me akronimin që do ta përmend në vijim e ky Ligj garanton pavarësinë institucionale dhe financiare të AKA-së, merr në konsideratë rekomandimet e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) si dhe garanton harmonizimin e sistemit tonë të arsimit me Standardet dhe Udhëzuesit Evropian të sigurimit të cilësisë (ESG). Ligji pamundëson çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së, sjellë risi në raport me vendet e rajonit, dhe krijon bazë të fortë për kthimin e saj në ENQA dhe EQAR.
E kemi siguruar objektin për agjencinë, kemi aprovuar vendet e lira te punës në AKA, për kompletimin e stafit dhe i kemi buxhetuar ato. Kemi dhënë përkrahjen e plotë për rregullativën e brendshme dhe standardet e cilësisë, siç janë Plani Strategjik i AKA-së 2021-2025, standardet e reja të akreditimit për nivelin bachelor dhe master, nxitjen e bashkëpunimit rajonal si dhe atij ndërkombëtar. Kemi inkurajuar AKA-në për nxitjen e bashkëpunimit me Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL-të) dhe për transparencë të plotë, vendime e veprime këto që krijojnë parakushtet për anëtarësimin e AKA-së në ENKA dhe EQAR.
Ministrja e Arsimit e ka nënshkruar vendimin për pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën, në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë (IAL). Me këtë vendim, ato obligohen që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimit të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me doracakun e AKA-së për akreditim dhe jemi duke u angazhuar që të gjitha universitetet të pajisen me sistemet për kontrollin e plagjiaturës. Jemi të përcaktuar për sigurimin e integritetit akademik dhe etik dhe zbatimin e përpiktë të standardeve evropiane të cilësisë të cilat decidivisht thonë që: “institucionet (e arsimit të lartë) kanë politika dhe procese që garantojnë dhe përmirësojnë cilësinë e aktiviteteve të tyre, si hulumtimi dhe qeverisja”.
Në vazhdën e gjithë kësaj infrastrukture ligjore dhe të investimeve financiare, shpresoj që institucionet përgjegjëse për cilësinë në arsimin e lartë në Kosovë, të gjejnë vendin e tyre në institucionet ndërkombëtare për cilësinë në arsimin e lartë. Duke ju uruar punime të mbara dhe bashkëpunim efikas kësaj konference, dhe zotim të qeverisë sonë për mbështetje, ju përshëndes dhe ju falënderoj.