Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, thotë se Deklarata Kushtetuese, e miratuar më 2 korrik 1990, i dha formë dhe përmbajtje për herë të parë Republikës së Kosovës.
Në një postim në Facebook, ai ka përmendur konceptet më të rëndësishme të deklaratës që kanë për bazë shtetin, që, sipas tij, u mohuan në shtetin e pavarur, ku u shfaq arbitrariteti dhe mohimi i demokracisë. Ai kërkon që mos të ketë organizim, pas ceremonisë së dështuar për 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.
Lexoni më poshtë postimin e tij:
Sot shënojmë 28 vjetorin e Republikës së Parë të Kosovës, që u shpall më 2 korrik të vitit 1990 përmes Deklaratës Kushtetuese e cila u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke.
Delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, sepse nuk lejoheshin të hynin aty, në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë. Me shpalljen e Deklaratës Kushtetuese ata i dhanë formë e përmbajtje për herë të parë Republikës së Kosovës, si një republikë-për-rezistencë.
Në deklaratë përmenden konceptet më të rëndësishme, ‘vetëvendosja politike’ dhe ‘demokracia autentike’, si baza të shtetformimit modern, republikan e demokratik edhe pse nën okupim.
Paradoksalisht, në liri e me pavarësi të shpallur, në Republikën e Dytë që tani i mbushi një dekadë, u shfaq arbitrariteti dhe mohimi i demokracisë e i vetëvendosjes.
Kjo na obligon të çojmë përpara projektin tonë për Republikën e Tretë, ku liria më në fund do të bashkohet me demokracinë, vetëvendosjen, zhvillimin e drejtësinë.
Shpresoj që Kryeministri dhe Kryeparlamentari nuk do të bëjnë ndonjë organizim a ceremoni sot. Pas ceremonisë së dështuar për 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit vetëm sa do të shkaktojnë njëherë ankth e pastaj zhgënjim te qytetarët