Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka dalë në përkrahje të grevës së mësimdhënësve të arsimit, duke thënë se greva duhet të vazhdohet deri në realizimin e kërkesave dhe ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar.
Sipas Kurtit kjo Qeveri po ngritë dhe po vlerëson vetëm pagat e shërbyesve politikë, ndërkaq po le anash ato në sektorin publik duke mos i ndryshuar fare.
Ai ka thënë se ndjen keqardhje për prindërit pasi fëmijët e tyre po humbasin mësimin, por duhet ta ngrisin zërin që të rritet cilësia e arsimit në Kosovë.
Sipas tij mësimdhënësit duhet ta vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Shkrimi i tij i plotë:
Pabarazia vs. Varfëria?
Më e vështirë sesa situata ku të dy palët e kanë gabim, është ajo ku të dy palët kanë të drejtë. Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, kurse mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta. Paradoksi vjen nga reduktimi i kontekstit. Kundërthënia është e rrejshme, jo pse mësimdhënësit janë edhe prindër ndërkaq edhe prindërit mësojnë fëmijët, por sepse e treta palë është e vërteta: qeveria. Ajo vlerëson shërbyesit politikë dhe jo shërbyesit publikë. Ajo don të zbusë ca varfërinë e mësimdhënësve që të mos merret me pabarazinë karshi tyre. Cila është zgjidhja? Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim, ka shkruar Kurti në Facebook.