Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë Philip Kosnett, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Siç bëhet e ditur për media, ambasadori Kosnett e uroi Kurtin për marrjen e detyrës dhe ka shprehur kënaqësinë për arritjen e 24 mijë vaksinave kundër COVID-19 në Kosovë.
Në anën tjetër, Kurti e ka falënderuar ambasadorin për vizitën dhe për rolin e ShBA-së në sigurimin e kontingjentit të parë të vaksinave, duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe mbesin partner i pazëvendësueshëm për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj përballë sfidave me të cilat ballafaqohet.
Ambasadori Kosnett dhe kryeministri Kurti diskutuan edhe për zhvillimet rreth përmbylljes së konsolidimit të institucioneve shtetërore bazuar në vullnetin e qartë qytetar të zgjedhjeve të 14 shkurtit.