Kurti dhe liderët e tjerë të Ballkanit ulen bashkë në Davos, Vuçiqi i vetëm

Prishtinë | 19 Jan 2023 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

“Dialogu në Ballkanin Perëndimor” është tema e cila u diskutua nga liderët ballkanikë në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, të enjten.

Aty u diskutua për nevojën për të gjetur qasje të reja për të ruajtur stabilitetin, për të krijuar kushte për të nxitur rritjen ekonomike të shteteve dhe nevojën për të zgjidhur mosmarrëveshjet e ngecura në rajonin e Ballkanit.

Nga pamjet e publikuara shihet se të gjithë pjesëmarrësit në sallën e takimeve ishin të ulur në karrige përballë njëri-tjetrit dhe në një rend.

Në mesin e pjesëmarrësve të pranishëm ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti maqedonas Stevo Pendarovski, kryeministri në  detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, si dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Të cekurit më lartë të gjithë ishin të ulur në ulëset e njëjta dhe në një vijë. Ndërsa, vetëm presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i ulur vetëm në një ulëse mbrapa të gjithëve, dhe në duar e kishte një bllok shënimesh.

Kjo shfaqet në fotografitë e publikuara nga presidenti maqedonas Pendarovski në rrjetin social Facebook.

Pamje nga ky takim ka publikuar, po ashtu, edhe Rama por aty nuk duket Vuçiqi.

Të ngjashme