Albin Kurti mendon se dialogu i Brukselit do t’i bëjë vend Serbisë në Bashkimin Europian, por Kosovës nuk do t’i japë ulësen në OKB.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Vetëvendosjes tha se para nisjes së fazën finale të dialogut, do të duhej një analizë për marrëveshjet e arritura deri tash, raporton Ekonomia Online.
Më tutje, Kurti ka kërkuar nga grupet parlamentare që të bëhen bashkë dhe të formulojnë kërkesat që Kosova duhet t’i parashtrojë në dialogun me Serbinë.
Çështja e të pagjeturve dhe dëmet e luftës, sipas Kurtit, duhet hapur, gjithashtu, në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian
“Dialogu i ri po bëhet jo që Kosova të marr ulëse në OKB, se ajo është në duar të Rusisë, por që Serbia të marrë ulëse në BE, se ajo është e varur nga shqiptarët. Ky dialog po ndodh, për shkak se Serbisë po i nevojitet. Qeveria duhet të sqarojë cili është kuptimi i saktë i shprehjeve normalizim, normalizim i plotë, kompromis i dhimbshëm e të tjerë”.
“Si ta trajtojmë dialogun e ri para se ta trajtojmë atë të mëhershëm? Ftoj që të bëhemi bashkë, ne si grupet parlamentare, e të shohim se cilat janë kërkesat ndaj Serbisë e ato kërkesa janë për të pagjeturit, për dëmet e luftës…ajo neve na ka borxh. Ju inkurajoj që secili prej jush të deklaroheni për dialogun, që tashmë ka filluar pa mandat”, ka thënë Kurti, raporton Ekonomia Online.