Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se do ta pranojnë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me dekretin e presidentit Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.
Kurti gjatë vizitës në burgun e Dubravës, duke iu përgjigj akuzave të presidentit Hashim Thaçi, tha se ai është i frustruar.
“Do ta respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa është interpretim i Kushtetutës”, tha shkurt Kurti.
Kur foli për akuzat për presion ndaj Kushtetuese tha se gjykata duhet të punojë e pavarur dhe në mënyrë profesionale, duke shtuar se Kushtetutën nuk mund ta shkruaj as gjykata dhe as kryeministri.
“Së pari akuzave të Presidentit u është përgjigjur zëdhënësi i Qeverisë. Nëse ka informacione të tilla duhet t’i ndihmojnë organet për zbardhjen e kërcënimit me vdekje ndaj meje”.
“Meqenëse është i pakënaqur me kompetencat që ia ofron ulësja e tij. E pata ftuar të japë dorëheqje sepse nuk po sillet si president, por që duhet të përfaqësojë unitetin e popullit”.
“Ai po e sulmon Qeverinë pas mocionit të mosbesimit. Ai po merr gur e dru të hedh mbi mua, por është kot kjo. Gjykata duhet të punojë si e pavarur në mënyre profesionale dhe ajo duhet ta interpretojë Kushtetutën nuk mund ta shkruaj as gjykata dhe as kryeministri”.
“Kushtetuta mund të shkruhet vetëm me amendamente në Kuvendin e Republikës. Dekreti i presidentit nuk mund ta ketë statusin e një amendamenti parlamentar”, u shpreh Kurti.
Kryeministri ka thënë se pas mocionit të 25 marsit është absurde të mos ketë zgjedhje, raporton EO.
“Si mund të kërkosh të rrëzohet Qeveria e të mos ketë zgjedhje. Ne kemi vetëm mocion mosbesimi. Kur do të rrëzohet Qeveria ai do zgjedhje të reja”.