Gati një javë pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministri Albin Kurti do të flasë sot për dialogun në Bruksel. Kështu ka paralajmëruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Qeveria mban mbledhjen e radhës nga orë 11:00 dhe në fillim të saj është planifikuar që Kurti të flasë për takimin me Vuçiqin.
“Në lidhje me takimin e datës 18 gusht në Bruksel, Kryeministri Kurti do të flasë këtë të mërkurë në adresimin e tij në fillim të mbledhjes së Qeverisë”, ka thënë Kryeziu.
Vuçiq të dielën dha versionin e tij për takimin, ndërsa Kurti deri tani nuk ka folur fare.
Sipas Vuçiqit, Kurti kishte shtruar 6 pikat e tij për marrëveshjen përfundimtare, ndërsa tha se për targat kishte refuzuar kthimin e atyre me “KS” në vend të “RKS”.