Kurti: Synojmë ta stabilizojmë sistemin elektroenergjetik dhe të ulim importin e energjisë

Prishtinë | 10 Jan 2025 | 10:01 | Nga Gzim Mujaj

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë sot se sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të stabilizohet, si dhe do të ulet kostoja e importit të energjisë, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën e organizuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjecarit (MCA Kosova), lidhur me procedurat e parakualifikimit për Dizajnimin dhe Ndërtimin e Sistemeve të Mëdha për Ruajtjen e Energjisë përmes Baterive, Kurti premtoi se do të rritet siguria dhe besueshmëria e furnizimit me energji si për amvisëri ashtu edhe për biznese.

Kryeministri Kurti ka thënë se qeveria e ka të qartë se ndërtimi i kapaciteteve të reja nuk mjafton, por sipas tij, ekzekutivi i vendit po sigurohet që të ndërrojë infrastrukturën e duhur për t’i mbështetur kapacitetet e reja në fushën e energjisë.

“Është mirë që vitin ta fillojmë me një sukses të këtillë për sektorin e energjisë. Për dekada të tëra, Kosova është përballur me vështirësi. Ne nuk kemi pasur nevojë vetëm për investime, por për një vizion që sjell rezultate që nuk mund të kthehen mbrapa. I kemi vënë vetës synime ambicioze dhe kemi caktuar një vizion sa është i sodit edhe largpamës. Ne e kemi të qartë që ndërtimi i kapaciteteve të reja nuk mjafton. Po sigurohemi që të ndërrojmë infrastrukturën e duhur për t’i mbështetur kapacitetet e reja. Po hapim zyrtarisht procesin e parakualifikimit për ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri, të cilat do t’i vendosim në Ferzaj dhe Istog”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se do të rritet siguria dhe besueshmëria e furnizimit me energji si për amvisëri, ashtu edhe për biznese.

“125 megavat të këtij sistemi do të operojnë nën korporatën e energjisë dhe 45 megavat të tjera nën KOST-in, që do të përdoren për balancim të rrjetit. Do të kenë ndikim të menjëhershëm dhe të drejtë. Së pari, do ta stabilizojmë sistemin elektroenergjetik të vendit dhe do ta ulin koston e importit të energjisë; së dyti, do të rrisin sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji si për amvisëri ashtu edhe për biznese; dhe së treti, do të hapim rrugën për integrimin e mëtejshëm të energjisë nga burimet e ripërtritshme si era, uji dhe dielli”, ka thënë Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se rezervat e energjisë që do të ndërtohen përmes këtij programi, do t’i kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës një shumë prej më shumë se 15 milion euro në vit.

“Kjo ngjarje ka edhe rëndësi shumë të madhe, duke qenë se programi kompakt ka qenë vendimi i parë i madh si ministre dhe si qeveri në sektorin e energjisë. Jam e bindur si asnjëherë më parë që vendimi ka qenë i duhur dhe nuk ka asgjë më të mirë që mund të bëjmë për sistemin tonë elektroenergjetik dhe për tranzicionin tonë energjetik sesa t’i ndërrojmë këto bateri. Rezervat e energjisë që do të ndërtohen përmes këtij programi do t’i kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës një shumë prej më shumë se 15 milion euro në vit”, ka thënë ministrja.

Drejtori Vendor Rezident nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, Rinor Gjonbalaj, tha se qëllimi është që të stabilizohet furnizimi me energji dhe të ulet varësia nga eksporti.

“Ky sistem i ruajtjes së energjisë do të jetë i pari në rajon që do t’i mundësojë Kosovës të integrojë energjinë e ripërtrishme në rrjet, të stabilizojë furnizimin me energji dhe të ulë varësinë nga eksporti. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me infrastrukturën, por edhe për ndryshimin mbështetës që do të ofrojë energjinë më të qëndrueshme në Kosovë”, tha Gjonbalaj.

Të ngjashme