Kurti e njofton Abazoviqin për propozimin e tij për ulje të tensioneve në veri

Prishtinë | 16 Qer 2023 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Prespës që po mbahet në Strugë të Maqedonisë së Veriut, është takuar të premten edhe me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Situata aktuale dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, veçanërisht në komunat në veri të vendit, ishin pjesë e diskutimit mes tyre.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka njoftuar kryeministrin në detyrë Abazoviq me propozimin e tij për depërshkallëzim të situatës dhe me faktet e institucioneve të Kosovës të cilat dëshmojnë se të mërkurën Serbia bëri agresion ndaj Kosovës me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës thellë brenda territorit të Kosovës.

Ai ka shtuar se ky veprim agresor i Serbisë duhet të dënohet qartë dhe ashpër nga të gjithë.

Krahas tyre u fol edhe për projektet e përbashkëta infrastrukturore të cilat do të lehtësonin shkëmbimin e mallrave e lëvizjen e qytetarëve, dhe afronin edhe më shumë dy vendet tona.

Ndërsa, Abazoviq, ka oftuar që Mali i Zi, “si vend mik i Serbisë dhe Kosovës”, të jetë mikpritës i rundit e radhës të dialogut Kosovë – Serbi, me përfshirjen e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë.

Abazoviq, nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Twitter, pas një takimit me Kurtin, ka thënë se “promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal është një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Malit të Zi“.

“Interesi ynë i përbashkët është të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në një bisedë të hapur“, ka shkruar tutje ai.

Të ngjashme