Kurti e pranon në RTK: Po, në marrëveshje ka Asociacion

Prishtinë | 22 Mar 2023 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për Marrëveshjen e Ohrit, duke e pranuar (për hwrë të parë drejtpërdrejt) se në marrëveshje ka edhe Asociacion.

Në një intervistë në Televizionin Publik i pari i Qeverisë ka thënë se marrëveshja nuk është më e mira për Kosovën por është mundësi për të ecur përpara.

Kryeministri tha se në marrëveshje ka edhe Asociacion.

“Në marrëveshje ka Asociacion. Neni 10 e thotë se të dy palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e kaluara që janë të obligueshme. Pra janë 39 marrëveshje që duhet të zbatohen. Janë marrëveshje si ajo për kthimin e librave kadastralë që është e pesta në listë”, deklaroi tutje Kurti.

Kurti thotë se të dy marrëveshjet e fundit tregojnë barazi mes palëve.

“Nuk bëhet fjalë për një marrëveshje që ta ulë tavanin, por që ta forcon dyshemenë. Për dallim prej para dhjetë viteve kësaj radhe Serbia refuzoi ta nënshkruaj atë”.

Kurti thotë se pavarësisht se nuk ka nënshkrim të marrëveshjes, ka pranim të saj dhe sipas tij janë dëshmitare edhe të gjitha vendet e BE-së.

Serbia duke mos nënshkruar nuk dëshiron ta zbatojë marrëveshjen.

Kreu i qeverisë theksoi se ka qenë gjithmonë konstruktiv dhe sipas tij në këtë marrëveshje të fundit ka barazi mes palëve.

“Unë gjithmonë kërkojë më shumë se që na është ofruar sepse mendoj se meritojmë më shumë, por besoj se me këtë marrëveshje mund të ecim përpara”.

“Ne jemi e vetmja palë kreative që kemi bërë propozime por që janë edhe konfidenciale, por tashmë pala tjetër heziton pasi që e di se kjo është njohje de-facto”.

Të ngjashme