Kurti: E votojmë Ligjin, nëse PDK-ja jep gjysmën e votave për Bekim Sejdiun

Prishtinë | 06 Tet 2026 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti i ka ofruar PDK-së që të votojë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara, nëse kjo parti zotohet publikisht se do t’i sigurojë së paku gjysmën e votave të grupit parlamentar për kandidatin për president, Bekim Sejdiun, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se, meqë sipas tij pjesa tjetër e votave për zgjedhjen e presidentit është e siguruar bashkë me LDK-në, një zotim i tillë nga PDK-ja do t’i hapte rrugë procedimit të votimit të ligjit në lexim të dytë.

“Nëse PDK zotohet publikisht që i sigurojnë së paku gjysmën e votave të tyre për tyre për profesor Bekim Sejdiun. Meqenëse pjesën tjetër i kemi bashkë me LDK-në në bazë të marrëveshjes politike dhe deklarimeve të mëpastajme, atëherë ne po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Por kërkojmë nga PDK-ja publikisht, meqenëse s’po mund t’i takojmë më, që të zotohen para jush, para opinionit publik, para qytetarëve të Kosovës, se së paku gjysmën e grupit të tyre parlamentar mund të na i sjellin në seancë e të votojnë qoftë edhe kundër për Bekim Sejdiun”, tha ai.

Kurti ka kritikuar kreun e PDK-së, Bedri Hamzën, duke thënë se ai ka refuzuar takimin dhe ka vendosur kushte për arritjen e një marrëveshjeje.

“S’po don të takohet më me mua, unë po ju drejtohem në këtë konferencë. Ju e dini që unë s’kam folur deri më tash në këto 4 takime që kemi pasur. Kam dashur e dua marrëveshje, transparencë, proceset e bisedimeve, por definitivisht konfidencialitet të tyre. Por tash, Bedri Hamza na ka kushtëzuar në mënyrë ultimative dhe refuzon të takohemi. Prandaj, edhe s’na mbetet rrugë tjetër përveçse t’ju drejtohemi kësisoj. Përveçse nuk po duan bashkëpunim, tash nuk duan as takim. Atëherë, si mund të kërkohet marrëveshje pa takim, pa bisedim, pa bashkëpunim?”, tha ai.

Kurti ka përmendur edhe disa raste kur, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur iniciativa të PDK-së në Kuvend.

“Ju e dini që ne ua patëm votuar edhe Vlora Citaku për nënkryetarët e Kuvendit, meqenëse pa votat tona ajo nuk mund të zgjidhej. Ndërkaq, në anën tjetër, nënkryetari i parë Ardian Gola nuk kishte nevojë për votat e BDK-së. Pastaj e votuan deklaratën për aktgjykimin e dhomave të specializuara në Hagë”, tha ai.

Kurti tha se LVV-ja, sipas tij, ka bërë disa hapa në drejtim të PDK-së, ndërsa kjo e fundit nuk ka vepruar në të njëjtën mënyrë.

“Katër hapa në drejtim të tyre, ata asnjë në drejtim tonë. Tash s’duan as të takohen, dhe vendosin qëndrime në formë kushtesh ultimative. Tash e dy vjet unë i kam ftuar në takim. Zakonisht kanë refuzuar. Para 3 javëve filluan të vijnë, dhe sot prapë po refuzojnë, edhe takimin, edhe bashkëpunimin rrjedhimisht edhe marrëveshjen. Pra, refuzojnë takimin dhe bashkëpunimin, refuzojnë bisedimet për njëkohësisht kërkojnë nga Lëvizja e Vetëvendosje 53 vota mbështetje blanko. A vetë nuk janë as gjysa e Vetëvendosjes? Këtu të jenë të gatshme ndërkaq ata ne duhet t’i lusim, e tash s’mund as t’i takojmë më. Bëhet fjalë që sillen thu se kanë një mbështetje të qytetarëve që nuk e kanë marrë në fakt. Që në fakt e kemi marrë ne. Subjekti fitues i zgjedhjeve është Lëvizja e Vetëvendosjes. Marrëveshja nuk bëhet duke refuzuar dialogun”, tha ai.

Kryeministri tha se aktualisht në Kuvend janë dy çështje konkrete, zgjedhja e presidentit dhe votimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar zgjedhjen e presidentit si emergjencë.

“Bashkëpunimi kërkon që palët të ulen në tavolinë dhe secila ta marrë përgjegjësinë që i takon. E të sillet në bazë të mbështetjes që ka. E sot i kemi dy përgjegjësi konkrete: zgjedhjen e presidentit dhe votimin e ligjit. Ligji është urgjencë, por presidenti është emergjencë. Presidenti duhet të zgjidhet sot”, tha ai.

Ai ka thënë se deputetët e PDK-së mund të votojnë edhe kundër.

“Ata mund të votojnë edhe kundër. Sa herë kanë kërkuar prej nesh, ne kemi qenë të gatshëm për votën për, e ne po e kërkojmë gjysmën e tyre kundër”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp.

“Nëse PDK-ja është kundër Sejdiut atëherë unë u them shpreheni me votë. Mos votoni për, veç votoni. Ndoshta është momenti i tillë që ndoshta 6 nga deputetët e LDK-së mund të na bashkëngjitet. Unë besoj që nëse do ta kishim një votë të tillë të përbashkët vështirë që edhe Sejdiu do të thoshte ‘jo nuk do ta shpëtojë Kosovën’”, ka thënë Kurti.

Sejdiu pati dalë si emër i përbashkët i marrëveshjes së Kurtit me Lumir Abdixhikun e LDK-së. Por marrëveshja u rrezikua pasi 6 deputetë të LDK-së dolën kundër.

Të ngjashme