Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se çështja e presidentit është emergjente, teksa ka theksuar se moszgjedhja e tij e çon vendin në zgjedhje, raporton Ekonomia Online.
“Për katër të dënuarit, besoj në korrigjimin në Apel dhe në një strategji për ta fituar këtë betejë. Nuk mund t’i mohojmë pengesat, pra çështjen e presidentit. Moszgjedhja na çon në zgjedhje. Nuk do të mund të merremi me Apelin vitin e ardhshëm, por në këtë muaj. Pa president, sot Kosova për muaj të tërë është në zgjedhje. Në këto rrethana, është emergjente çështja e presidentit, që ta heqim këtë presion mbi shtetin”, tha Kurti.
“Por ne nuk mund t’i mohojmë pengesat e menjëhershme që i kemi përpara nesh drejt atij synimi e të cilat i kemi të gjithë së bashku. Pra, çështja e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re. Sepse moszgjedhja e tij ose saj na çon direkt në zgjedhje, dhe jo vetëm se na çon në zgjedhje, por na pamundëson të gjithëve të merremi edhe me strategjinë shtetërore e kombëtare, por edhe me apelin i cili në fakt është shumë i ngutshëm. Nuk do të mund të fillojmë të merremi me çështjen e apelit në vitin e ardhshëm. Por duhet të fillojmë të merremi në këtë muaj, pa president sot, Kosova për muaj të tërë është në zgjedhje dhe pa institucione funksionale”, shtoi Kurti.

