Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë me disa prej ministrave dhe drejtues të institucioneve të sigurisë, pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, është diskutuar e analizuar situata aktuale, raporton Ekonomia Online.
Ndër të tjerash, kryeministri tha se Qeveria është e bashkërenduar dhe po bashkëpunon me BE-në, NATO-n, ShBA-të dhe Anglinë ‘në mënyrë që të jemi bashkë për paqe, siguri dhe mbrojtje të demokracisë e lirisë”.
“Theksoj që sot është një ditë tronditëse dhe tragjike për Evropën dhe jo vetëm pasi sot i gjithë kontinenti i ynë dhe më gjerë janë zgjuar me lajmin e trishtë të invazionit rus në Ukrainë që paraqet agresionin më të madh ushtarak që pas përfundimit të luftës së dytë botërore. Qeveria është e bashkërenduar dhe po bashkëpunon me BE-në, NATO-n, ShBA-të dhe Anglinë në mënyrë që të jemi bashkë për paqe, siguri, për mbrojtje të demokracisë dhe lirisë”.
“Duke qenë të brengosur me ndikimin që do të ketë kjo luftë e re me pasoja tragjike edhe në rajonin tonë kemi zhvilluar një mbledhje të Këshillit të Sigurisë me disa prej ministrave dhe drejtues të institucioneve të sigurisë ku kemi vlerësuar, analizuar dhe diskutuar për situatën aktuale dhe për masat që duhet t’i marrim në mënyrë që orientimi ynë evropian të jetë në nivelin e cilësisë në intensitetit më të lartë të mundshëm”, tha Kurti