Deputeti Albin Kurti ka thënë në Gjakovë se ndryshimi që e bëri Prishtina në vitin 2013, është i domosdoshëm që të bëhet në Gjakovë me 22 Tetor të këtij viti. Ai ka theksuar se kjo komunë ka dhënë shumë për ekonominë, historinë e kulturën e vendit, por ai tha se pas çlirimit për Gjakovën nuk pati as zhvillim e as drejtësi.
“Komuna është pasqyra ku shikohet qytetari. Te komuna qytetari gjen arkivën e banorëve dhe të punës, si dhe dëshirat e shndërruara në plane. Kryetari juaj i ardhshëm Driton Çaushi dhe asambleistët tonë të ardhshëm këtu në Gjakovë, do të jenë edhe qytetarë aktivë, edhe aktivistë qytetarë”, tha Kurti në këtë tubim.
“Ne angazhohemi jo për një komunë që punëson brenda vetes fitimtarët, por për një komunë që jashtë vetes hap mundësi për qytetarët. E mundësitë janë midis qytetarëve. Komuna i gjen ato dhe ribëhet prej tyre sepse komuna duhet të jetë e qytetarëve dhe qytetarët duhet të bëhen komunitet”, tha po ashtu deputeti Kurti gjatë këtij tubimi, duke theksuar se për VV-në nuk kryhet puna kur vjen në pushtet, por se pikërisht atëherë fillon.
Në fund, Kurti la porosi në Gjakovë se numri 10 është edhe zgjedhja e edhe zgjidhja e vërtetë, duke ftuar ata që me votën e tyre ta vendosin Driton Çaushin në krye të Gjakovës.
Nagavci: Çaushi do të triumfojë kundër të keqes, hipokrizisë e regresit
Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje! po qëndron në qytetin e Gjakovës. Në tubimin zgjedhor në këtë komunë, qytetarëve iu është edhe drejtuar deputetja e këtij qyteti, Arbërie Nagavci.
Ajo përmendi faktin që sot VV është partia e parë në nivel vendi, e edhe në Gjakovë, kurse për këtë ajo tha se është rezultat i bashkimit të atyre që e duan ndryshimin.
“Data 11 Qershor në fakt nuk është vetëm fitorja jonë e madhe, ajo është preludi i simfonisë së fitores së 22 Tetorit, ditës kur qytetarët do të bëjnë revulucionin demokratik, ditës kur me votë do të përcaktojmë të ardhmen tonë. Me zgjedhjen e numrit 10 në fletëvotime do të japim një shancë të re për zhvillimin e komunës sonë, do të japim votën me zemër, për të qeverisur me mendje qytetin”, u shpreh Nagavci.
Tutje, ajo kishte fjalë të mëdha për kandidatin Driton Çaushi, për të cilin tha se është profesori i ndershëm e më plot dinjitet, i ri i guximshëm, dhe profesionist i shquar me plot energji për të punuar për vendin e tij. Nagavci tha se Çaushi përfaqëson të drejtën, sinqeritetin e profesionalizmin, ndaj do të dalë fitues në betejën kundër të keqes, hipokrizisë e regresit.
Duke theksuar se qeverisjet e kaluara kanë keqpërdorur besimin e dhënë dhe kanë mashtuar në vazhdimësi, ajo shtoi se përkrah VV’së janë bërë bashkë gra e burra të ndershëm e profesionistë, vajza e djem të guximshëm e punëtorë, që angazhimin e bëjnë me zemër e shërbimin me mendje.
“Andaj ju ftoj të ia jepni besimin Lëvizjes Vetëvendosje! dhe ekipit tonë të prirë nga Driton Caushi! Bëhuni pjesë e fitores sonë të përbashkët, sepse Gjakova meriton notën dhjetë, sepse ne duhet të votojmë numrin dhjetë, sepse ne do ta bëjmë komunën tonë ashtu si e kishim e si duam”, ishte porosia e Nagavcit për bashkëqytetarët nga Gjakova në tubimin elektoral.
Ymeri: Gjakova do të çlirohet nga keqqeverisja, shpërfillja e degradimi
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka hapur tubimin elektoral në Gjakovë, duke e quajtur Gjakovën vend të luftës çlirimtare e të këngës qytetare. Ai tha se pas 22 Tetorit do ta shohim Gjakovën e gëzuar për fitoren. Ai u shpreh i bindur se Gjakova do të çlirohet nga keqqeverisja, shpërfillja e degradimi.
Ymeri tha se në Gjakovë dikur kishte fabrika, kurse sot veç supermarkete e salla dasmash. Ai kujtoi kohën kur Gjakova eksportonte prodhimet e saj gjithandej nëpër Evropë.
“I dashur Driton, Gjakova i obligohet të rinjve të saj. Ata i dhanë Gjakovës gjithçka në ditët më të vështira. Gjakova është nga qytetet me numrin më të madh të pjesëmarrjes së të rinjve në luftën e UÇK-së. Ata që ia dhanë Gjakovës lulen e rinisë, nuk mund të përbuzen më. Me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kjo do të marrë fund, njëherë e mirë. Të rinjtë e Gjakovës do ta ndërtojnë jetën këtu, në qytetin e tyre”, ishte porosia e tij për Driton Çaushin, kandidatin e VV-së për kryetar të Gjakovës.
Duke folur për tjetërsimin e komunës nga qeverisjet e mëhershme, kryetari i VV’së tha se shërbimet trajtohen si mallra që i marrim vetëm të kamurit, kurse njerëzit që jetojnë në komunë nuk shihen si qytetarë me të drejta, por si klientë nga të cilët nxirret fitim.
“Pushtet të korruptuara e pa program, jo vetëm që kanë vjedhur, por edhe i kanë përçarë qytetarët. Dua të them troç dhe pa lënë hapësirë për konfuzion. Për botëkuptimin tonë, për parimet tona të punës, ndarja qytet-fshat nuk ekziston. Ne udhëhiqemi nga parimet e drejtësisë e barazisë dhe jo nga paragjykimet e shekullit të kaluar. Për Driton Çaushin dhe qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, të gjithë dhe secili pavarësisht prejardhjes, vendbanimit, përkatësisë fetare janë të barabartë”, ka thënë Visar Ymeri.
Ai nuk ka lënë pa ironizuar edhe me kundërkandidatët e Çaushit. Për Ramadan Hotin e PDK-së, Ymeri tha se në fakt ai nuk është Ramdan Hoti, por emri i tij në këto zgjedhje është Hajdar Beqa në mungesë, e për të cilin tha se nuk i hyri garës sepse e dinte se do të humbiste. Për LDK-në tha se ka hequr dorë nga, kurse kandidatin e tyre për Gjakovë e quajti më të lodhur se vetë partia e tij. Ndërsa, Mimoza Kusarin e ka quajtur “lule pa rrënjë”, duke e quajtur kandidate pa ekip e organizim. Teksa, Ardian Gjinit të AAK-së ia ka kujtuar deklaratat mbi patriotizmin, e më pas koalicionin e partisë së tij me Listën Serbe, si dhe kohën kur Gjini ishte Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke e akuzuar për degradim të ambientit.
“Duke e votuar numrin 10, e këta kandidatë keni zgjedhur përparimin, barazinë, rregullin, pastërtinë, gjelbërimin, ambulantën, shkollën, mjekun, mësuesin, punën, bujqësinë, shërbimin, publiken. Keni zgjedhur Komunën”, ka porosituar gjakovarët Visar Ymeri, duke bërë thirrje që të votohet Çaushi dhe kandidatët e VV’së për Kuvendin Komunal.