Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe ish-veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, raporton Ekonomia Online.
Kurti në përvjetorin e Epopesë së Dukagjinit dhe fillimi të bombardimeve të NATO-së mbi forcat serbe në Kosovë, ka thënë se në këtë ditë po bëjnë homazhe për t’i nderuar dhe respektuar kontributin e atyre që dhanë për shtetin e Kosovës.
Në deklarimin për medie pas homazheve tek varri i ish-presidentit Rugova, Kurti tha kujtojnë kontributin e tij për ndërkombëtarizmin e shtetit të Kosovës.
“Sot është përvjetori I Epopesë së Dukagjinit dhe Bombardimeve të NATO- s dhe pas homazheve në Prekaz e Gllogjan po bëjmë homazhe edhe te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, dhe me këtë rast kujtojmë rolin dhe kontributin e tij për gjatë viteve 90 për ndërkombëtarizimin e shtetit të Kosovës dhe më pas do të vazhdojmë edhe veprimtari më I shquar te varri i bacës Adem në këtë ditë të parë të punës pasi dje kishim pranim dorëzimin, dhe në këtë mënyrë ne përkujtojmë se prej nga vijmë dhe të sigurt të ecim përpara për atë se çka na kanë votuar qytetarët me 14 shkurt”, tha Kurti.
Kurse pas homazheve te varri i veprimtarit Adem Demaçi, Kurti ka thënë se kujtimi për të do të kultivohet për të gjithë brezat.
“Adem Demaçi simboli i rezistencës sonë. Veprimtari më i shquar i qështjes kombëtare dhe i paepur i cili kishte një jetë të tërë vepër për interesin tonë të përgjithshëm dhe që pavarësisht burgosjeve të gjata nuk u ndal , nuk u lodh e thyr asnjëherë. Kujtimi për të është i përjetshëm dhe kujtimi për të do të mësohet dhe kultivohet për të gjithë brezat” u shpreh ai.
Kurti në ditën e parë të tij si kryeministër ka bërë homazhe edhe në Prekaz, kurse të mërkurën ishte dhe në Gllogjan.