Kurti i bën thirrje komunitet joshumicë që të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë

Prishtinë | 22 Pri 2024 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje komunitet joshumicë që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Kurti për komunitetet e Kosovës shprehet se janë vlerë e identitet të vendit.

“Komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i shtetit tonë. Shoqëria jonë është e pasur sepse ju jeni pjesë e saj”, ka shkruar Kurti në Facebook, por që ka edhe një video me po të njëjtat fjalë.

“Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme për shtetin tonë”.

“Ai nuk është thjesht një shënim statistikor; është deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë. Nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë”.

“Andaj, mos ngurroni, regjistrohuni!”.

Të ngjashme