Kurti i bindur: Grantin e MCC-së s’e kemi humbur, ambasadorin amerikan e takoj së paku 52 herë në vit

Prishtinë | 18 Nën 2021 | 13:30 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti ka thënë që Kosova nuk e ka humbur grantin e MCC për gazsjellësin. Ai tha se fondet e këtij granti janë ndarë për investime të tjera, duke shtuar se në këtë projekt nuk janë vënë kushte nga asnjëra palë.

Kryeministri deklaroi se Qeveria e ka vlerësuar me kujdes projektin për ndikimin e gazit në çmim in e energjisë, raporton Ekonomia Online.

“Ne e kemi qartësuar që disa herë që granti nuk është humbur dhe as që ka qenë në rrezik asnjëherë që të humbet ai. Gjithashtu e kemi qartësuar që granti deri në 120 milionë euro nuk është ndarë specifikisht vetëm për infrastrukturë gazi, ndonëse ky opsion ka qenë duke u studiuar”.

“Ne kemi vendosur që grantin ta shpenzojnë për investime të tjera. Qeveria e Kosovë nuk i ka vënë kushte MCC për sa i përket këtij projekti dhe  as MCC nuk i ka vënë kushte Qeverisë. Pra ka qenë raport partneriteti pa kushtëzime”.

“Partneriteti i tillë i ngushtë vazhdon duke i trajtuar çështjet edhe si dizajn taksni e fizibilitet ekonomik. Qeveria e Kosovës thjeshtë e ka vlerësuar me kujdes projektin dhe ndikimin në çmimin e energjisë”.

Kurti ka replikuar me deputetët e opozitës lidhur me projektin e gazit për Kosovën dhe aleancën me ShBA-në.

Kurti ka thënë se e takon ambasadorin amerikan çdo javë, të paktën 52 herë në vit.

“Së paku një herë në javë e takoj ambasadorin amerikan, nëse viti ka 52 javë, unë e takoj ambasadorin amerikan së paku 52 herë në vit, rregullisht jemi në kontakt për të gjitha temat”.

“Nuk është as aleanca as partneriteti me SHBA-në e as ai i sigurisë kombëtare e as ai ekonomik e zhvillimor i varur për një pe, nuk qëndron partneriteti dhe aleanca jonë në pe që tash mund të shkëputet shumë shpejt prandaj unë ju lus të gjithëve që të keni më shumë besim në aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ky besim i juaji i ndihmon të gjithëve. Por s’mund të lëkundet një aleancë e tillë sepse tash veç është forcuar me qasjen tonë parimore dhe me planet tona afatmesme dhe afatgjata”, tha Kurti.

Tutje në fjalën e tij, ai tha se s’ka vend për frikë e panikë.

“Kur vepron sot për sot pasdite je i trembur, kur nuk ke plane dhe strategji trembesh, sepse je sot për sot pasdite o ta marrim këtë projekt se shkuam posht, nuk është ashtu”.

“S’ka vend për frikë dhe panikë, prandaj ju lus të gjithëve që jo vetëm të jemi demokratë por edhe racionalë. Unë nuk besoj që kemi rrugë tjetër, është e vërtetë që qeveria është tjetër, por për atë s’kam ç’ju bëjë”.

Të ngjashme