Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dhënë edhe një herë mbështetje kryetarit të qendrës në Shqipëri, Boiken Abazi, para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 25 prill në këtë vend.
Kurti ia ka kushtuar një postim në Facebook, teksa ka shkruar se Abazi nuk është i korruptuar dhe është e kundërta e një populisti.
Abazi është pjesë e VV-së, por në zgjedhjet e 25 prillit do të kandidojë i pavarur për deputet nga Qarku i Tiranës. VV-ja do të “përfaqësohet” edhe me dy kandidatë të tjerë të pavarur në Qarkun e Fierit dhe atë të Elbasanit.
“Miku e bashkëveprimtari im, Boiken Abazi, garon për deputet në Tiranë. Boikeni është kandidat i pavarur, numri i tij në fletën e votimit është 13. E njoh Boiken Abazin prej shumë vitesh, e qysh prej 2010 ai ka mbajtur pozita të larta drejtuese në Lëvizjen Vetëvendosje! Së fundi udhëhoqi Sekretariatin për Marrëdhënie me Jashtë, dhe falë tij, sot organizata jonë është e njohur ndërkombëtarisht. Boikeni është njeri me etikë të lartë pune. I pakorruptueshëm, por edhe i palodhshëm. Ai është e kundërta e populistit, është njeri i fjalëve shumë të matura”, ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit, Boiken Abazi përfaqëson vlerat e një socialdemokracie të re për Shqipërinë.