Kurti i përgjigjet Abdixhikut: Unë e udhëheq Qeverinë në ditët më të mira

Prishtinë | 29 Mar 2023 | 21:25 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi i kishte thënë se vetëm atij dhe Vali Corleones, nuk iu ka thënë askush “puna e mbarë”, për shkak se sipas tij nuk kanë punuar asnjëherë.

Po ashtu, Abdixhiku kishte thënë se arsyeja se pse nuk u ka thënë askush “puna e marë” është se nuk kanë punuar kurrë.

Ndërkaq, Kurti duke i renditur arritjet e tij për dy vjet qeverisje, ka thënë se shumë qytetarë gjithë jetën i kanë thënë puna e mbarë.

Abdixhiku e krahason Kurtin me Vali Corleone: Veç këtyre dyve s’iu ka thënë askush “puna e mbarë”
“Çfarë të them unë tani, jam duke e menaxhuar Qeverinë e Kosovës në ditët më të mira që janë bërë si rezultat i pikërisht kësaj qeverisje. Në verën e viti 2020, 1,5 miliardë të hyra pas dy vjetësh të qeverisjes sime 2.5 miliardë. Unë po flas me shifra ndërkaq, kush dëshiron të krijojë atmosferë negative le ta bëjë, unë po flas me fakte, po flas me të dhëna”, është shprehur Kurti.

“Deficiti buxhetor në vitin 2020 ka qenë mbi 500 milionë euro ndërkaq, në vitin e kaluar është më pak se 50 milionë euro, 11 herë e kemi zvogëluar deficitin buxhetor, çfarë keqmenaxhimi ose mosmenaxhimi mund ta sjellë ketë. Nëse menaxhimi është siç ka qenë qeveria Hoti, ose qeveritë e mëhershme atëherë unë më mirë është të mos jem menaxher. Por, unë besoj pikërisht si menaxher kryesor jemi duke bërë punë shumë të mira. Tash punë e mbarë mu më kanë thënë shumë qytetarë tërë jetën”, ka thënë tutje ai.

Të ngjashme