Kurti i shpreh Begajt keqardhjen për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive

Prishtinë | 16 Qer 2023 | 18:09 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Strugë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ku raportohet se diskutuan për marrëdhëniet e veçanta ndërmjet dy republikave.

Nga zyra e kryeministrit bëjnë të ditur se Kurti shprehu keqardhjen e tij për anulimin e njëanshëm të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë, me ç’rast “u humb mundësia e nënshkrimit të 13 marrëveshjeve të reja nga të cilat do të përfitonin qytetarët tanë”.

Kreu i qeverisë kosovare e falënderoi Begajn për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe për qëndrimin e tij në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, duke e dënuar këtë akt të agresionit dhe duke kërkuar lirim të menjëhershëm të tyre.

Ai gjithashtu e njoftoi presidentin shqiptar me propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për depërshkallëzim dhe normalizim të plotë të situatës në komunat në veri, teksa riktheksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë premisa bazë e çdo zgjidhjeje për rrugën përpara.

Kryeministri Kurti po merr pjesë sot në Forumin e Prespës, në Strugë të Maqedonisë së Veriut.

Të ngjashme