Kryetari dhe kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se s’kanë ndonjë njoftim nga KQZ-ja për mos lejimin e tij për të garuar për deputet.
Kurti në një deklarim për medie është shprehur se ka një vullnet të madh të qytetarëve për zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe këtij vullneti ai ka thënë se institucionet e shtetit s’duhet t’i vihen përballë.
“Unë nuk jam në dijeni për kurëfar vendimi të tillë të KQZ-së, nuk kemi marrë ndonjë shkresë, unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as kryesia. Por, ajo çka po vërejë në Kosovës është një entuziazëm i jashtëzakonshëm për zgjedhjet e 14 shkurtit. Kurrë nuk ka pasur më shumë interesim për pjesëmarrje në këto zgjedhje dhe këtu mërgata gjithsesi prinë, por edhe populli në Kosovë, besojë që të gjithë jemi dëshmitarë që me gëzim po e presim 14 shkurtin dhe ky vullnet i madh i qytetarëve për ndryshime, në vitin 2021 besoj që duhet të ndiqet edhe nga institucionet relevante të shtetit”.
“Ju e dini që unë jam bartës i listës dhe këtë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”, tha ai.
KGJK ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën me 46 kandidatë për deputetë nga 15 subjekte politike që kanë problem me ligjin për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit.