Kurti: Jemi shumë afër zgjedhjes së presidentit, e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje

Prishtinë | 14 Sht 2026 | 10:45 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke paralajmëruar se shkuarja sërish në zgjedhje do të ishte “papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”, raporton Ekonomia Online.

Në mbledhjen e parë solemne të Qeverisë, Kurti tha se Kosova tashmë ka Kuvend të konstituar dhe Qeveri të zgjedhur, ndërsa çështja e presidentit mbetet sfida e radhës.

Ai tha se për këtë nevojitet një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se disa deputetë të LDK-së kanë shprehur kundërshtim ndaj zbatimit të marrëveshjes së arritur mes dy subjekteve.

“Sot zyrtarisht është dita e parë e punës nën qeverisjen e re të dalë nga procesi zgjedhor i 7 qershorit 2026, ndonëse realisht është veçse vazhdim i punës dhe i mandatit të ndërprerë pa nevojë e në dëm të vendit. Mirënjohës qytetarëve për besimin e dhënë, deputetëve të Kuvendit për votimin, urime të gjithëve. Përpara, kemi shumë punë e projekte. Sfida dhe probleme, dhe natyrisht që vetëm bashkarisht do t’ia dalim mbanë. Qeverisja jonë e përbashkët është punë për qytetar, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, pas një mandati të plotë qeverisës 4-vjeçar, kemi pasur 2 palë zgjedhje të paarsyeshme, të pushtueshme, dhe që nuk sollën rezultat tjetër. 10 muaj bllokadë e barrikadim për të shkuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Qytetarët folën qartë, para vitit të ri 2026”, tha ai.

Kurti tha se edhe në vitin 2026 vendi shkoi në zgjedhje për shkak të bllokadës institucionale, kësaj here lidhur me zgjedhjen e presidentit.

“Por barrikadim sërish për të shkuar përsëri në zgjedhje, në 7 qershor 2026. Edhe një herë, qytetarët folën qartë. Në vitin 2025 shkuam në zgjedhje për shkak të barrikadimit për kuvende qeverie. Ndërkaq, sivjet, në 2026, për shkak të barrikadimit për shkak të presidentit. Sot, kur po flasim, jemi me kuvend të konstituar e qeveri të zgjedhur, ndërkaq përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president. Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë, nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim, pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë”, tha ai.

Kryeministri u bëri thirrje liderëve politikë që të dialogojnë për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e presidentit.

“Andaj, si kryeministër i Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik më të madh në vend dhe në kuvend, ju bëj thirrje liderëve politikë: kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin përputhje me vullnetin qytetar, dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë. Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sillte diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike. Se gjetja e një kompromisi politik është e mundur dhe sjell rezultat, është dëshmi vetëkonsituimi i kuvendit. Ne dje pranuam plotësisht kandidaturat për nënkryetarë të kuvendit nga PDK dhe LDK, përkundër vërejtjeve që kishim, dhe sot jemi me qeveri të re, përveçse kuvend të konstituar. Një diskutim politik mes nesh, i hapur dhe i sinqertë, jam i bindur që do t’i sjellë vendit president të ri”, tha ai.

Të ngjashme